Humbi finalen e Europa League, Solskjaer: Jemi të zhgënjyer, nuk arritëm të...

Nuk ka festë më 26 maj 2021 për Ole Gunar Solskjaerin, trajnerin e Manchester United. 22 vite pas atij goli që u dhuroi Champions-in “Djajve të Kuq” kundër Bajernit në Barcelonë, në një prej finaleve më të pabesueshme të turneut, norvegjezi nuk arriti të bëjë bis, këtë herë në stolin e skuadrës.

Pyetja e parë për teknikun e Manchester United, është nëse do ta konsideronte sezonin një sukses dhe ai u përgjigj: “Jo”.

“Në dhomën e zhveshjes ka rënë heshtja. Janë të gjithë shumë të zhgënjyer. I tillë është futbolli. Ndonjëherë ai vendoset vetëm nga një goditje. Ne duhet të mësojmë nga kjo. Nuk duhet ta shijojmë këtë ndjesi, por ta ndiejmë atë në mënyrë që të mos e përsërisim më. Nuk arritëm të shfaqeshim.

Nuk luajtëm dot siç dimë ne. Mendoj se e nisëm mirë. Ata shënuan me të vetmen goditje në portë. Jemi të zhgënjyer që pësuam nga një tjetër goditje standarde. Villarreal na e bëri të vështirë, duke mbyllur hapësirat. Ata u mbrojtën mirë dhe ne nuk krijuam raste të mëdha.

Tani nuk është koha për të drejtuar gishtin për atë që unë duhet të kisha bërë ndryshe. Por, kur del pa një trofe nuk i ke bërë të gjitha detyrat mirë. Sigurisht që kemi bërë hapa përpara. Ishim një hap larg trofeut”, tha Solskjaer.