FOTO/ Rikardi, emigranti shqiptar që triumfoi si humanist në Kanada

Historia e djalit shkodran që u rrit në Fier dhe emigrimi në Kanada. Përfshirja në punën vullnetare për 11 vite dhe akordimi i titujve më të lartë nga Montreali dhe Kebeku…

Në Kanada, z.Rikard Shpori është humanisti më i njohur dhe i vlerësuar nga shqiptarët e më gjerë. Ai kontribuon prej vitesh si vullnetar në Organizatën Humanitare mbi Moshën e Tretë “Filia”, ku edhe ka marrë çmimin e madh “Mirënjohje ndaj Vullnetarëve”, nga Bashkia e Montrealit. Por Shpori, për dy vite (2014-2016) ishte edhe kryetari i Bashkësisë Shqiptare të Kebekut në Montreal, titulli më i lartë që ka një shqiptar në Kanada. I lindur në qytetin e Shkodrës dhe i rritur në qytetin e Fierit, pas ndryshimit të sistemit, në vitet 1990-1991, ai emigroi si dhe shumë shqiptarë të tjerë në Kanada. Tashmë ka atje 12 vite dhe punon si vullnetar jo vetëm në komunitetin shqiptar, por edhe në atë grek, italian, spanjoll etj, në ndihmë të të gjitha familjeve në nevojë, si dhe personave me aftësi të kufizuara. Një hero shqiptar i kohëve modern të cilin duhet ta njohim të gjitha tashmë, ndaj edhe Z.Shpori e bëmë pjesë të gazetës “Super Shëndeti”, me këtë intervistë….

Në ditët e sotme vështirë që të gjesh humanist, por meqë ne ju “gjetëm”, a mund të na thoni shkurt, cili është misioni juaj?

Misioni im është t’i gjendem sa më pranë çdo njeriu që ka nevojë për ndihmë. Të ndihmoj, njerëzit në nevojë, duke mobilizuar dhe bashkëpunuar me forcat dhe burimet e ndryshme humanitare të shoqërisë.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë, gjatë punës tuaj si humanitar?

Për t’ia arritur qëllimit, më së shumti bashkëpunoj me Organizatën e Moshës së Tretë - FILIA, gjithashtu edhe me shumë institucione të Administratës qeveritare.

Nga përvoja juaj, cilët janë targetgrup-et më në nevojë?

Kryesisht është mosha e tretë, pra të moshuarit, por misioni ynë shtrihet edhe tek njerëzit me aftësi të kufizuar, si dhe familjet në nevojë .

Më konkretisht, si i ndihmoni ata?

Për të moshuarit organizojmë shumë aktivitete të ndryshme argëtuese përgjatë vitit. Gjithashtu të moshuarve apo njerëzve me aftësi të kufizuar u shërbejmë, duke i shoqëruar dhe transportuar nëpër spitale, takime të ndryshme mjekësore, apo edhe nëpër zyra të ndryshme, sipas kërkesave që kanë. Gjithashtu, për të gjithë ata që nuk janë në gjendje të mundur fizike që të dalin nga shtëpia, ne u gatuajmë dhe ua çojmë ushqimin çdo darkë të ngrohtë nëpër shtëpi, kurse për familjet në nevojë, i ndihmojmë duke u afruar ushqime dhe mundohemi të plotësojmë çdo nevojë tjetër jetike që mund të kenë.

Nga përvoja juaj, cilat janë problemet më të shumta që hasen te komunitet në nevojë?

Probleme ka plot e nga më të ndryshmet, por shqetësimi më i madh është braktisja nga fëmijët apo familjarët, gjë që shpeshherë e çon këtë shtresë drejt depresionit.

Kujt ia dedikoni suksesin e punës si humanitar?

Të gjithë këtë sukses ia dedikoj Familjes time, që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës, edhe pse u kam ngrënë shumë kohë, duke munguar apo jo dedikuar mjaftueshëm. Kam 11 vjet që merrem me punë vullnetare në Montreal.

A mendoni se ka filtër për përzgjedhjen e emigrantëve në Kanada? Apo porta është e hapur për të gjithë?

Portat në Kanada janë të hapura për të gjithë njerëzit, nga e gjithë bota, pa dallim feje, race apo nacionaliteti. Për më tepër informacion mund të konsultoni faqen zyrtare të qeverisë Kanadeze mbi emigrimin: http://www.cic.gc.ca/. Aty do të gjeni informacionet e nevojshme.

A ndihesh I vlerësuar nga shqiptaret dhe më gjerë, aty në Kanada?

Bashkatdhetarët më kanë vlerësuar shpesh. Madje edhe duke më zgjedhur si Kryetar të Bashkësisë Shqiptare për Provincën e Kebekut, përgjatë periudhës 2014-2016. Për një mandat 2 vjeçar. Një eksperiencë tepër e vështirë, me përgjegjësi të madhe dhe mjaft e bukur. Ndërkohë vlerësime maksimale kam marrë nga shumë instuticionet qeveritare te Provincës dhe Federalit, për punën dhe kontributin vullnetar. Mirënjohje e shprehur nëpërmjet certifikatave, dekorimeve dhe ceremonive te ndryshme këtu. Gjithsesi dua të theksoj se e gjithë puna dhe kontributi vullnetar që jap, e kam bërë dhe e bëj, sepse dëshiroj të ndihmoj ata që kanë nevojë dhe aspak për përfitime, mirënjohje të tepruara apo tituj e dekorata. Të bësh mire, nuk është asnjëherë keq. Ju faleminderit…