Arrestimi i gazetarit në Bjellorusi, Lukashenko: Aeroplanin e devijuan pasi patën kërcënime...

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë se kritikët e tij janë duke e “mbytur” vendin e tij dhe se janë duke e zhvilluar një “luftë hibride”.

Ai i ka thënë parlamentit se mendja e shëndoshë ishte braktisur dhe se “shumë vija të kuqe” janë kaluar, derisa vendet perëndimore vendosën sanksione ndaj Bjellorusisë.

Lukashenko e mbronte vendimin për devijimin e fluturimit të aeroplanit Ryanair, i cili ishte nisur nga Greqia për në Lituani, për të dielën u detyrua të ndalej në Bjellorusi dhe më pas u nis drejt destinacionit të tij të vërtetë.

Një gazetar i Bjellorusisë, Roman Protasevich, i cili është kritik i Lukashenkos ishte arrestuar në momentin kur u ndal aeroplani.

26 vjeçari ishte futur në një listë të terrorizmit vitin e kaluar dhe thotë se ai ka frikë nga dënimi me vdekje. Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë dhe ish-Bashkimin Sovjetik që ende kryen dënime me vdekje.

E dashura e tij ruse, Sofia Sapega, u arrestua gjithashtu. Ata të dy tani përballen me akuza penale. Në disa video të çiftit që janë publikuar, ata duket se rrëfejnë për krimet e tyre që kanë kryer dhe ka mundësi që ata deklarojnë ashtu pa dëshirën e tyre.

Lukashenko dje për herë të parë kishte folur publikisht për këtë rast të arrestimit, i cili e ka tërhequr vëmendjen e shteteve perëndimore që e kanë dënuar të gjithë këtë veprim.

Udhëheqësit evropianë kanë akuzuar Bjellorusinë për rrëmbimin e avionit, por presidenti ka këmbëngulur se ai veproi ligjërisht kur urdhëroi devijimin e tij.

Bjellorusia pretendon se fluturimi ishte devijuar për shkak të një kërcënimi për bombë nga Hamasi, por grupi militant palestinez mohoi çdo përfshirje. Lukashenko gjithashtu tha se kërcënimi kishte origjinën në Zvicër, por autoritetet zvicerane thanë se nuk dinin asgjë për të.

Lukashenko këmbënguli se kërcënimi i bombës ishte i vërtetë dhe se devijimi i fluturimit Ryanair kishte ndodhur pranë një centrali bërthamor.

“Unë duhej të mbroja njerëzit, po mendoja për sigurinë e vendit,” tha ai, duke shtuar se raportet se një avion luftarak u dërgua për të detyruar aeroplanin të ulej ishte një “gënjeshtër absolute”, shkruan BBC.