Flet më në fund Nishani: Berisha, model i ndershmërisë dhe institucionalizmit

Ish-presidenti Bujar Nishani, gjatë konferencës së “Grupit për PD”, ku u kërkua rikthimi i Ibsen Elezit në garën për kryetar partie, e konsideroi hipokrit qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas lajmit se DASH e shpalli “non grata” Sali Berishën.

“Berisha e ka dhënë drejtimin e diskursit me çështje gjyqësore.

E dyta, kam histori personale bashkëpunimi me zotin Berisha. Konfirmoj se në këtë histori bashkëpunimi kam konstatuar modelin e zotit Berisha si model ndershmërie dhe institucionalizmi.

E treta, kjo çështje nuk do të cenojë kurrë marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

Por, zoti Basha ka pasur qëndrim hipokrit sepse u mbështet kryesisht te kërkesa për transparencë për këtë çështje. Transparencën duhet ta bëjë zoti Basha para shqiptarëve sepse ka që në vitin 2013 që ka opinione që zoti Basha është i ndikuar nga zoti Berisha në vendimet më të rëndësishme që ka marrë zoti Basha në emër të Partisë Demokratike.

Ndaj, ai duhet të dalë sot para shqiptarëve dhe të thotë nëse është ndikuar apo shantazhuar nga zoti Berisha për këto vendime”, tha ish-Presidenti.