A ka lidhje me zgjedhjet? Mentor Nazarko analizon vendimin e SHBA për Berishën

Analisti Mentor Nazarko, komentoi në “ORA 19” në Syri TV vendimin për të mos lejuar hyrjen në SHBA të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha.

Nazarko në lidhje “Skype” në studion e “ORA 19” me moderatorin Juli Krisafi, tha se ky vendim është përgatitur në Washington, por natyrisht me të dhëna nga Ambasada Amerikane në Tiranë, teksa mendon se ka lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.

“Besoj se është përgatitur në Washington, pasi do t’i atribuoja Tiranës fuqi të mbinatyrshme që të përcaktonte zhvillimet në Washington. Ky vendim ka ndodhur në Washington, është përgatitur në Washington.

Të gjithë cepat e botës janë të lidhur me njëri-tjetrit dhe s’mund të mohojmë që është dhënë dhe është marrë me Tiranën, domethënë me ambasadën në Tiranë, por është produkt i Departamentit të Shtetit, i një programi me anë të të cilit SHBA synon të ndikojë në zhvillimet në të gjithë globin.

Pra, ky mekanizëm në listën e përfshirjes së personave të padëshirueshëm për të hyrë në SHBA, për akuzën e korrupsionit të rëndësishëm, është një instrument nëpërmjet të cilit SHBA synon të tregojë preferenca, përjashtime, të ndërtohen shembuj me vlerë globale.

Lidhja me zgjedhjet? Mendoj se ka një lidhje me zgjedhjet, ndonëse ky është një vendim që ka qenë në ajër prej kohësh. Lidhja me zgjedhjet mendoj se ka të bëjë me faktin që Zoti Berisha për shkak të ndikimit të tij me atë që është shtëpia e tij politike, Partia Demokratike, mund të orientojë një kahje radikaliste në aksionin e partisë më të madhe opozitare, e cila ka thënë që nuk do t’i njohë zgjedhjet. Pra, mund të përcaktojë një qasje radikaliste.

Kjo qasje nuk është e dëshiruar nga SHBA. Ata e kanë bërë me dije qasjen e tyre në rastin e dorëzimit të mandateve nga opozita, në bojkotin në zgjedhjet vendore dhe tani kemi një përshkallëzim ndaj një njeriu që është themeluesi i opozitës së parë komuniste, të një njeriu që ka këto gjurmë të shquara në historinë e shtetit shqiptar pas vitit 1990.

Vendimi mund të ketë qenë më i hershëm, por bërja publike, përshkallëzimi, arsyetimi, është vendosur të bëhet publik tani”, deklaroi Nazarko.