Sezoni i mbjelljes së kanabisit, tre të arrestuar dhe një në kërkim, sekuestrohen fara

Tre persona kanë rënë në pranga dhe një i katërt është shpallur në kërkim për kultivim kanabisi.

Në Fier u arrestuan në flagrancë F. S., 25 vjeç dhe V. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Sheq Marinas, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa, në pyllin e fshatit Seman. Gjithashtu për këtë rast është shpallur në kërkim edhe një tjetër bashkëpunëtor, shtetasi E. M.

Në Mallakastër u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., 35 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec, i cili u kap në flagrancë në fshatin Lofkënd duke transportuar në automjetin e tij tip "Toyota Rav 4", fidanë narkotikë të mbjellë në kubikë, një sasi tub uji dhe rrjetë teli.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 192 fara si ato të bimëve narkotike, si dhe kubikë me fidanë narkotikë cannabis sativa.  

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Kultivimi i bimëve narkotike".