VIDEO/ Këlliçi rikthen pamjet e dhunës policore, natën e shembjes së Teatrit Kombëtar

"Një vit më parë, pushteti i dhunshëm i injorancës, imun nga çdo kulturë, i bëri gropën Teatrit Kombëtar. E hodhi në shesh dhe e la aty, pirg thërrimesh, për t'i treguar shqiptarëve se diktatura e mundi kulturën mu në mes të Tiranës", - tha sot Belind Këlliçi, deputeti demokrat, krahas publikimit të pamjeve të dhunës policore mbi mbrojtësit e Teatrit Kombëtar, një vit më parë. 

"Është e njëjta mendësi që kishat i ktheu në depo drithi, kështjellat në burgje, lulishtet në pallate dhe nevojtoret në kuzhina, - gjykon Këlliçi. - Janë të njëjtët që muzikën ritmike e ndaluan, që filmin dhe letërsinë i çensuruan, ata që na mbronin nga tundimi i lirisë me bunkerë dhe tela me gjemba. E njëjta dorë injorante që të zvarrit si kriminel, sepse guxon të mbrosh qytetin tënd, identitetin dhe trashëgiminë e tij kulturore.

Ka kaluar një vit nga kallëzimi që kam kryer në prokurori ndaj dhunuesve në video. Asnjë lëvizje nga prokuroria. Një vit pandëshkueshmëri. Një model që inkurajon dhunën dhe dhunuesin, që imponon heshtjen e të dhunuarit. Një model që nxit shkelësit e ligjit të vazhdojnë të shkelin ligje.

Kjo është Tirana sot. Një gropë më shumë për pallat. Me pak kulturë teatri dhe me shumë kulturë pandëshkueshmërie."