SHISH nxjerr blof 'Komisionin anti-Meta': Nuk kemi asnjë informacion për Presidentin

Komisioni i Posaçëm për hetimin e shkeljeve kushtetuese të Presidentit Ilir Meta, ka marrë përgjigjet e para nga institucionet e pavarura shtetërore. Burime nga komisioni hetimor thanë për gazetën “Panorama” se nga leximi vertikal që iu bë përgjigjes që kishte mbërritur në Kuvend nga Shërbimi Informativ i Shtetit, nuk kishte asnjë informacion konkret për kreun e shtetit.

Ndërkohë, në Kuvend kishte mbërritur po ashtu edhe përgjigja nga Prokuroria dhe SPAK, ku mësohet se në përgjigje thuhet se kreu i shtetit ka referuar më shumë se 20 kallëzime të bëra nga qytetarët, ndërsa vetë Presidenca ka kërkuar nisjen e hetimeve në SPAK në lidhje me një poster të vendosura në banera të mëdha ku shfaqeshin si të pandehur Presidenti, Berisha, Basha dhe Kryemadhi.

Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, miratoi planin e hetimit me votën unanime të të gjithë anëtarëve.

Komisioni diskutoi mbi përgjigjet e marra nga institucionet, lidhur me objektin e komisionit për shkeljet e kryera nga Presidenti Meta para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore të 25 prillit.

Socialisti Alket Hyseni iu referua rastit të Shtete të Bashkuara me procedurën e nisur nga Kongresi për shkarkimin në atë kohë të Presidentit Trump.

Madje komisioni diskutoi edhe veprimet e Presidentit, ku anëtari Spartak Braho ka pyetur dy mjekët e pranishëm nëse veprimet Metës të krijojnë përshtypjen se ai shfaqet në gjendje jonormale psikologjike.

Ndërkohë mësohet se ditën e djeshme Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht që sipas kalendarit të punës, të martën, më 18 maj, të zhvillohet seanca dëgjimore më kreun e shtetit.

Ndërsa një seancë tjetër pritet që të bëhet ditën e hënë nga komisioni parlamentar për hetimin e kreut të shtetit, për shqyrtimin e materialeve që kanë mbërritur nga AMA.