Lajm i mirë, ky ilaç nuk ndikon në keqësimin e gjendjes me Covid-19

Para një viti, në kohën kur pandemia e shkaktuar nga koronavirusi i ri ishte në fillim dhe kishte shumë të panjohura, qarkullonin në këtë vorbull edhe shumë informata të paverifikuara apo gjysmë të verifikuara, të qëllimshme apo të paqëllimshme, ndoshta edhe me cakun e frikësimit të mëtejmë të popullatës.
 
Një lajm i tillë kishte të bënte edhe me rolin e Ibuprofenit në keqësimin e Covid-19. Tani, pas më shumë se një viti, në revistën më prestigjioze shkencore, Lancet, ka dalë publikimi që tregon se nuk ka bazë nga frika, pra se Ibuprofeni apo grupi i madh i analgjezikëve josteroidë inflamatorë ku bën pjesë ky, nuk e përkeqësojnë Covid-19.
 
Përpunimi i mbi 78 mijë rasteve në Angli, Skoci dhe Uells, ka treguar se analgjezikët antiinflamatorë josteroidë (NSAID) nuk kanë pasur rol domethënës në shtimin e vdekshmërisë spitalore, në shtimin e numrit të pacientëve të shtruar në kujdesin intensiv, në shtimin e rrezikut për ventilim invaziv apo joinvaziv, në shtimin e nevojës për trajtim me oksigjen apo në rritjen e rasteve të dëmtimit veshkor.