Meta flet për darkën: Ja për çfarë bisedova me Edi Ramën

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka sqaruar se për çfarë bisedoi dje me Edi Ramën në darkën që u zhvillua në godinën e Kryeministrisë.

Duke folur për gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, Meta u shpreh se në darkën me Edi Ramën biseduan për reformën në drejtësi.

Sipas kryeparlamentarit, darka e mbrëmshme ishte planifikuar më herët, ndërsa i hezitoi që të jepte përgjigje të drejtpëdrejtë nëse darka vendosi edhe fatin e koalicionit.

“Komunikimi është i vazhdueshëm, normal, bashkëpunues...Diskutuam për reformën në drejtësi. Mbledhja me Kryeministrin ka qenë e planifikuar më parë. Mendoj që të gjithë duhet të punojmë që 18 qershori t’i japë Shqipërisë notën më të mirë për zgjedhjet”, u shpreh kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Në lidhje me protestën e opozitës në bulevard, Meta ishte në një linjë me disa prej eurodeputetëve që thotë se opozita duhet të rikthehet në Parlament.

“Opozita duhet të kthehet në parlament. Për mua Parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim. Të bëjmë të gjitha përpjekjet që të përmirësohet klima tani që jemi në një moment të rëndësishëm për reformën në drejtësi.  Negociatat nuk hapen pa u zbatuar vetingu dhe pa u realizuar standardet më të larta në 18 qershor. Kuvendi do të zhvillojë në mënyrën mën transparente të gjitha procedurat që i takojnë”, deklaroi Meta.