E rrallë/ Kapet kanabis në zarfin e postës, do të dërgohej në Itali

Jo vetëm nga toka dhe ajri, por një tjetër mënyrë po përderet nga trafikantët për të transportuar drogë nga Shqipëria në Itali.

Sasitë e mëdha të kanabisit që janë kultivuar në vendin tonë duhen të gjejnë treg për t’u shitur, e mënyrat nuk janë shumë të lehta duke marrë parasysh edhe aksionet masive anti-drogë të policisë italiane.

Syri.net mëson se një sasi droge është zbuluar në zarfet e postës së Tiranës.

Burimet nga policia e kryeqytetit thonë për redaksinë tonë se gjatë skanimit të pakove postare, në dy zarfa u gjetën 775 gr kanabis sativa. Zarfet me drogë kishin për destinacion Italinë.

Punonjësit e postës sapo konstatuan lëndën narkotike në zarfe, njoftuan menjëherë policinë.

Kjo e fundit ka nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat që futën kanabis në zarfet postare me destinacion italianë. /SYRI.net/