Bizneset e ndershme kundër amnistisë. Dhoma Amerikane: Ligji i qeverisë favorizon evazorët

Dhoma Amerikane e Tregtisë, një nga shoqatat më të mëdha të biznesit në Shqipëri, kritikoi ligjin e qeverisë që fal borxhet në tatime dhe dogana. Alketa Uruçi, Kryetare e Komitetit të Taksave pranë kësaj Dhome, deklaroi se ligji i propozuar nga Ministria e Financave nuk është konsultuar me biznesin, por shqetësimi më i madh për të është se ai favorizon evazorët.

"Në lidhje me ligjin e aministisë, që pritet të miratohet së shpejti edhe në Kuvend ka një problematik. Përsëritjet e shpeshta të amnistive inkurajojnë dhe favorizojnë biznesin e pandershëm duke penalizuar bizneset korrekte," tha Uruçi.

Drafti i qeverisë fal borxhet vetëm për bizneset që nuk janë në proçese gjyqësore me tatimet, ndërkohë që ato biznese që janë në gjyq nuk përfitojnë. "Kjo do të thotë se një biznes që ka paguar një detyrim të padrejtë plus interesin dhe këtë vendim e ka ankimuar në gjykatë duke kërkuar të drejtën nuk përfiton. Kurse ato biznese që as paguajnë dhe as shkojnë në gjykatë, por presin amnistinë, do të përfitojnë," vijoi Uruçi.

Por drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero e cilësoi ligjin si një nga aktet më të mira të miratuara gjatë viteve të fundit. "Së pari dua të saktësoj se kjo nuk është amnisti, por është një fshirje e borxheve që nuk mund të mblidhen më. Ky ligj do i japë një frymarrje të re si administratës ashtu dhe biznesit që të rregullojnë situatën tatimore," deklaroi Vjero.

Projektligji i miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, vetëm pak muaj para zgjedhjeve, fal totalisht borxhet para dhjetorit të vitit 2010, ndërsa për borxhet e periudhës 2011-2014 falen gjobat dhe kamatvonesat nëse biznesi paguan detyrimin.