Tërmeti tronditi Greqinë, dëme në Devoll/ Banorët: Përjetuam tmerrin e 2019-s e 2020-s

Lëkundjet e tërmetit që ra në Greqi dhe u ndje në jug të vendit, ka shkaktuar dëme materiale dhe në Bashkinë e Devollit.

Dëmet janë vënë re në fshatrat kufitarë, ndërsa banorët shprehen se janë tmerruar nga lëkundjet. Qytetarët vënë në dukje se ata ende nuk janë dëmshpërblyer për tërmetet e dy viteve të shkuara.

Nga SYRI TV

Tërmeti i shkallës 5.2 Rihter që goditi një natë më parë Greqinë dhe u ndje dhe në jug të Shqipërisë, ka shkaktuar dëme materiale në fshatrat e Devollit. Banorët tregojnë se janë tmerruar nga lëkundjet e fuqishme, duke përjetuar dhe një herë tërmetet e qershorit 2019 dhe nëntorit 2020.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë Devoll, Eduart Duro është shprehur se menjëherë pas tërmetit, emergjencat kanë dalë në terren dhe lëkundjet kanë shkaktuar dëme të lehta në 4 shtëpi në Vidohovë dhe 1 në Ponçare.

Banorët shprehin shqetësimin se pavarësisht reagimit të emergjencave, ende nuk kanë marrë dëmshpërblim për dy tërmetet e kaluara.

Qytetarët shprehen se ata janë lënë gjithmonë në harresë nga bashkia, ndërsa apelojnë për rikonstruksionin e banesave të tyre.