Deputetja e VV në krah të palestinezëve: Jetimë të pambrojtur të botës së vdekur demokratike

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinota Demi-Murtezi, ka reaguar për trazirat e fundit në Gaza midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Deputetja kosovare ka mbështetur palestinezët, të cilët i konsideron "jetimë të pambrojtur" e njëkohësisht e akuzon për mungesën e ndërhyrjes dhe zgjidhjes, "botën e vdekur demokratike".

“Palestina dhe palestinezët, jetimat e pambrojtur të “botës së vdekur demokratike”, shkruan Demi - Murtezi dhe përfundon me thirrjen "FreePalestine”.

Sipas BBC, ka pasur thirrje për qetësi pas disa ditësh trazirash në Jeruzalem, me sulme hakmarrëse nga Izraeli dhe militantët palestinezë në Gaza. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar u kanë kërkuar të dy palëve të ulin tensionet sa më shpejt të jetë e mundur.

Militantët kanë qëlluar më shumë se 300 raketa drejt Izraelit që nga e hëna natën, duke plagosur 31 izraelitë. Izraeli thotë se sulmet e tij ajrore në Gaza kanë goditur 130 objektiva. Zyrtarët shëndetësorë thonë se 24 palestinezë janë vrarë.

Grupi militant Hamas, i cili kontrollon territorin palestinez, tha se po vepronte për të mbrojtur xhaminë al-Aqsa të Jeruzalemit nga "agresioni dhe terrorizmi" izraelit, vend i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, që shënoi përplasje midis policisë izraelite dhe palestinezëve të hënën dhe  la qindra të plagosur.