Fleckenstein: Kam shumë respekt për Berishën, por nuk besoj përrallat me Soros as këtu e as në Shkup

Raportuesi në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein ka mbajtur një konferencë për median në zyrat e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Që në fillim të fjalës së tij, ai ka marrë në mbrojtje ambasadoren, Romana Vlahutin duke u shprehur se reforma në drejtësi nuk është një betejë private e saj, apo e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Donald Lu.

Më pas Fleckenstein nuk ka ngurruar të komentojë edhe deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përfaqësues sorosianë në Tiranë, komente të bëra mbrëmë në një emision televiziv.

Më poshtë keni fjalën e plotë të Knut Fleckenstein:

“Kjo që do të them nuk ka të bëjë me një kryeministër apo udhëheqës opozite, ndaj më lejoni të jem i drejtpërdrejtë me ju. Ne po luftojmë për të njëjtin objektiv dhe ndonjëherë ka edhe keqkuptime. Por kjo nuk është një beteje private e Donit, Romanës apo Knutit, po ne jemi ama tërësisht të bashkuar dhe përfaqësojmë institucionet  e BE dhe autoritetet e SHBA.

Më lejoni të tregohem edhe më i drejtpërdrejtë në lidhje me një shfaqje televizive që është shfaqur mbrëmë. Kam shumë respekt për z. Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president i Shqipërisë dhe ndoshta më shumë respekt sesa mund të mendoni. E kam me të vërtetë.

Por ama do doja t’i kërkoja atij të mos fliste më me ato përralla sorosiane dhe madje mund të them se është fjalë për fjalë e njëjta histori që kam dëgjuar edhe në Maqedoni dhe nga përvoja ime është se vetëm të dobëtit kanë nevojë për ato lloj përrallash dhe zoti Berisha nuk është një njeri i dobët. 

Kjo reformë nuk bëhet që të na kënaqë, ne as për zotin Junker apo zonjën Merkel, por e gjithë kjo bëhet për të drejtën e qytetarëve të Shqipërisë që ata të kenë prokurori dhe gjykata më të mira. Ne të gjithë e dimë se kjo është bazamenti dhe themeli i gjithë asaj që bëjmë ne që të jetë e suksesshme lufta kundër krimit të organizuar.

Pas miratimit të reformës, tani të gjithë duhet të tregojnë se e gjithë ajo ka qenë prej vërteti dhe ne të gjithë e dimë se procesi i Vetingut është kyç. Nga ky proces keni për të parë që ka një numër njerëzish që janë punëtorë dhe të mirë.

Ne po ashtu biseduam me ministrin e Drejtësisë dhe ministren e Integrimit Evropian dhe menduam se mund të ketë disa probleme teknike, siç mendojnë ata dhe mund të na duhet një lloj marrëveshje apo dakortësie ndërmjet BE-së nga njëra anë dhe Shqipërisë nga ana tjetër.

Meqenëse të gjithë dëshirojnë të njëjtën gjë, ministrja e Integrimit ka të drejtë kur thotë se këto probleme mund të zgjidhen brenda dy ditësh. Ne jemi këtu që së bashku me të gjithë politikanët shqiptarë të përgjegjshëm të luftojmë për këto synime të përbashkëta.

Unë nuk do të ndërhyj, as do të bëjë komente për protestën që po bëhet sepse kjo është çështje e brendshme dhe natyrisht që është e drejta e opozitës që të protestojë.

Bojkoti i Kuvendit është për mendimin tonë, mënyra jo e duhur, sidomos për ata zgjedhës që kanë votuar për deputetët e Kuvendit. Ndaj u kërkoj kolegëve, miqve të mi në PD, që ata të vazhdojnë të bëjnë atë që është e nevojshme, por të kthehen në punë. Madje ju siguroj se ky nuk është vetëm mendimi i Knut Fleckenstein apo i Mogherini apo i Vlahutin, por i të gjithë neve.

Në mënyrë që ne të ndajmë ndarjen 50 me 50 në komisione, u them kolegëve të mi të PD “mos na jepni ndjesinë se e keni keqpërdorur këtë” ndaj minimalja që ju kërkoj është që të shkoni në komisione dhe mos ndaloni procesin e Vetingut apo rivlerësimit apo Reformën në Drejtësi.

Më lejoni të them pak fjalë për zgjedhjet. Natyrisht që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Do të jap katër shembuj. Ashtu si në të gjitha vendet në fakt, transparenca përsa i përket financimit  ka rëndësi, kush i ka dhënë fonde apo para partive për fushatën e tyre.

Ka dhe rregulla të caktuara edhe për median gjatë fushatës që të shikojnë se cilat janë aktivitetet që kanë vërtet partitë politike.

E di që ka pasur diskutime për sanksione apo gjoba për blerjen e votës. E rëndësishme më duket edhe çështja gjinore.

Ne kemi dëgjuar nga ODIHR që nga njëra zgjedhje në tjetrën janë bërë hapa përpara dhe ne tani të gjithë mendojmë që të bëhen hapat e tjerë të mirë përpara. Unë kam besim që ne kemi një panoramë tejet të qartë për zgjedhjet. Kjo për arsye se do të kemi OSBE/ODIHR si dhe ojq nga Shqipëria që do të vëzhgojnë zgjedhjet.

Në fakt u bë kohë që ne flasim për çështjen e dekriminalizimit. Dhe tani partitë politike duhet ta tregojnë qartë këtë gjë se e kanë me të vërtetë këtë gjë për kandidatët e tyre me listat e tyre për zgjedhje. Unë mendoj se të gjithë votuesit në Shqipëri duhet të shikojnë me imtësi listat e deputetëve jo një, por dy herë dhe të mos votojnë për ndokënd që është kriminel. Ama vërtet shpresoj që partitë politike do ta bëjnë punën e tyre siç kanë rënë dakord me ligjin përkatës. Është një shprehje amerikane që “deri tani kemi dëgjuar fjalë e tani duam të shikojmë vepra” e në fakt tani është momenti që të gjithë ata që kanë pasur mundësinë të tregojnë që atë votuan pro, ta bëjnë në realitet.

Unë e kam dëgjuar shumë fjalën dinjitet dhe jam dakord me të gjithë ata që këtu nuk bëhet fjalë për dinjitetin e politikanëve, por të qytetarëve dhe të drejtat e qytetarëve në Shqipëri. Shpresoj se kur të kthehem sërish në shtator në Shqipëri ju të keni pasur zgjedhje të mira dhe që të mos ketë ndaluar zbatimi i Reformës në Drejtësi që ne pastaj të ndërmarrim hapat e tjerë. Dhe unë vërtet mendoj se qytetarët e Shqipërisë e meritojnë këtë gjë dhe unë do të bëj pjesën time”.

SYRI.net