Tritan Kalo: Asnjë urgjencë me Covid-19 tek 'Nënë Tereza' për herë të parë pas një viti

Prof. Dr. Tritan Kalo ka dhënë sot lajmin se për herë të pas më shumë se një viti pandemi, nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me COVID-19 në Urgjencën e “Nënë Terezës”.

Ndërsa e sheh me optimizëm këtë situatë, Kalo paralajmëron se është shpejt për të folur me siguri në e fituam këtë betejë, por situate duket në rrugë të mbarë.

Mesazhi i Prof. Dr. Kalos në Fb:

“Njëzet e katër orëshi i parë pas datës 8 mars 2020 që në Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve Infektive në QSUNT, nuk është paraqitur asnjë i sëmurë me Covid-19.

E fituam këtë betejë me flamën mbarëbotërore, pandeminë nga Sars-Cov2/Covid-19.

Shpejt për të folur me siguri, por kryesorja është se jemi në udhë të mbarë për të dalë nga tuneli i gjatë, ku po ecim prej 14 muajsh që nga mbrëmja e 8-9 marsit 2020.

Kemi ende plot të sëmurë në gjendje të rëndë në mjediset spitalore, po ashtu dhe jo pak të sëmurë që mjekohen në banesat e tyre.

Kemi humbur qindra e mijra të afërt, miq e shokë.

Kemi kaluar e po kalojmë momente shumë të trishta, por ne nuk jemi dorëzuar.

Vetndërgjegjësimi dhe vetkujdesja kurrë të mos na zbehet dhe të na mungojë edhe pas sodit.

MHD ( Maska - Higjena personale e kolektive - Distancimi fizik) mbeten shumë të efektshme në këtë betejë me armikun e padukshëm.

Vaksinimi po na ndihmon që të dalim sa më shpejt nga ky tynel, ndaj për asnjë dekikë mos nguroni të vaksinoheni ndaj infeksionit Sars-Cov2/Covid-19.

Mëndjeçarturit e gojështhururit kundër aplikimit të vaksinës kurrë nuk do të mbyllen, por nga shekujt populli na rikujton se “Një gur hedh budallai në lumë e duhen 1000 të mënçur për ta gjetur e nxjerrë atë nga ai”.

Duajeni dhe respektojeni sa më shumë veten si dhe ata që gjallojnë rreth jush.

Ne, mantelbardhët dhe stafi tjetër mjeksor jemi kurdoherë këtu në vijën e parë për t’u kujdesur dhe ndihmuar në përballjen tuaj me virusin jetëlëndues dhe jetëmarrës të Sars-Cov2/Covid-19.

Koha po punon për ne, që edhe me kujdesin e pamunguar ndaj vetëvetes, të mundemi t’i gëzojmë sa më mirë bukuritë e këtyre viseve të së bekuarës nënëlokes Shqipëri.

Together forever!!! “