Teleskopi italian fotografon raketën kineze që po bie në tokë

Një teleskop në Itali ka arritur të fotografojë raketën kineze të dalë jashtë kontrollit, e cila pritet që ditën e nesërme të bjerë në tokë. Raketa tashmë është futur në atmosferën e Tokës.

Projekti “Virtual Telescope” me bazë në Itali kapi imazhin e raketës, e cila dukej si dritë e ndritshme, ndërsa kalonte mbi teleskopin robotik “Elena”.

Raketa me 21 ton mbetje nuk dihet ende saktësisht se ku do të bjerë në tokë, pasi pala kineze nuk ka më asnjë kontroll mbi raketën March Long 5B.

Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin ka sqaruar sot se raketa nuk do të shkaktojë dëme, pasi sapo të futet në atmosferë do të shkatërrohet.

Komanda Hapësinore e SHBA tha se raketa do të bjerë në tokë më 8 maj.