SHBA kërkon hetim për skandalin e të dhënave/ Bushati: SPAK ua lehtësoi punën patronazhistëve

Misioni i SHBA pranë selisë qendrore të OSBE në Vjenë doli me një deklaratë të fortë në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Ambasadorja Elisabeth Rosenstock-Stiller theksoi se PS pati një avantazh të pabarabartë në këto zgjedhje pasi përdori makinerinë shtetërore.

Ndërkohë, sipas saj, blerja e votave ishte një problem i madh. Ajo ngriti edhe shqetësimin për skandalin e të dhënave, duke kërkuar hetim.

“Ne gjithashtu vërejmë se gjetjet e tyre tregojnë për një praktikë të përhapur të blerjes së votave, që mbetet ende një problem, dhe gjithashtu shprehim shqetësim në lidhje me rrjedhjen e të dhënave personale tejet sensitive, përfshirë edhe preferencat politike të qytetarëve,” thuhet në deklaratë.

Ndërkohë Andi Bushati shkruan në Lapsi.al se ishte vetë SPAK që ua lehtësoi punën patronazhistëve gjatë fushatës.

“Prokuroria e Posaçme po sillej si vegël qorre e qeverisë. Ajo po merrej me median dhe gazetarët duke mos pasur këllqet e nevojshme për të hetuar E- Albanian nga e cila dyshohej se kishin rrjedhur të dhënat personale të qytetarëve, dhe as Partinë Socialiste, që i përdori ato deri në ditën e fundit, për të manipuluar zgjedhjet.

Por, elementi kryesor, që e ndryshoi lojën katërcipërisht ishte fakti se pas garës elektorale patronazhistët u bënë të panevojshëm, Rilindja fitoi betejën edhe falë të dhënave të vjedhura që kishin nëpër duar ata, prandaj teatri i SPAK, sikur po vazhdonte ta hetonte këtë krim ndaj votës së lirë ishte i pavend.

Përpara 25 prillit SPAK mori përsipër rolin komik, sikur gjoja po investigonte, sikur i duheshin me patjetër të dhënat që dispononte Lapsi.al, për të shkuar tek e vërteta. Ai bleu kohë për ti lënë hapësirë partisë në pushtet ta zbatonte deri në fund planin e saj manipulativ. Dhe tani që ky objektiv u arrit, vazhdimi i farsës nuk kishte më vlerë,” shkruan ai.