Superiorja nis me sfidën Kukësi - Vllaznia, shkodranët kërkojnë tri pikët

Luhet ditën e sotme sfida e javës së 32-të mes Kukësit dhe Vllaznisë.

Verilindorët vijnë pas 3 humbjeve rradhazi, ku nuk kanë shënuar asnjë gol e pësuar 8, me vetëm 1 fitore në 13 ndeshje në kampionat dhe me një pozicion modest për ta, që është vendi i 6-të, pa objektiva për Europën. Atëherë ku do ta gjejnë motivimin futbollistët , të cilët kanë ndonjë pakënaqësi edhe me shpërndarjen e pagesave, motivimin duhet ta gjejnë tek e ardhmja e tyre, sa më shumë paraqitje zhgënjyese aq më pak shanse kanë të sigurojnë një kontratë të mirë, qoftë me Kukësin apo diku tjetër.

E nëse flasim për motvimin, atëherë  në krahun tjetër ky element është në dozat maksimale, sepse Vllaznia që në fillim askush nuk e priste në këto pozita, vijon të jetë e përfshirë fuqishëm në garën për titull kur kanë mbetur edhe  5 ndeshje nga fundi. Kuqeblutë kanë mbledhur vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit dhe nuk kanë më asnjë rrugë tjetër në këtë takim vetëm se marrjen e fitores në “Elbasan Arena”. Diferenca me vendin e parë është 3 pikë dhe objektivi javor i Vllaznisë është të paktën të mos lejojnë Partizanin të shkëputet më shumë. Në letër duken shkodranët një hap më përpara, megjithatë nënlvlerësimi kundrejt një skuadre që ka në organikë dy golashënusit më të mirë të Superiores, do të ishte një “harakiri” epik.