Shto ujë e shto miell, kur BE përkund djepin e një autokrati

Në një konferencë për integrimin, me zyrtarë të lartë të BE të pranishëm, Edi Rama në vend të një qasje e paraqitje tjetër, në vend të një qendrimi pak më të përulur e modest, duke ditur mirë se sapo ka kryer me zgjedhjet e 25 prillit një akt tjetër të rëndë anti-europian, është shfaqur edhe me arrogant edhe më sfidues.

I cilësoi kushtet që ka vendosur BE për hapjen e negociatave, si; shto ujë e shto miell. Pra si të parëndësishme, si muhabete pazari. Dihet mirë se në krye të kërkesave të BE dhe vendeve anëtare për uljen në tryezën e bisedimeve, janë çështjet që kanë të bëjnë me fondamentin e demokracisë, në radhë të parë ato për zgjedhjet e lira e të ndershme.

Një parakusht ky që sapo u shkel nga Rama dhe qeveria e tij, duke patur parasysh deformimet e mëdha të procesit, manipulimet, akuzat dhe denoncimet për shitblerje vote.

Rama doli faqe përfaqësuesve të lartë të Brukselit pikërisht me tezën, se ju vendosni kritere sa të doni, unë do bëj çfarë të dua.

Ai u konfirmua në Firence si autokrati që ka vënë seriozisht në dyshim orientimin europian të vendit.

Nga bosi i rilindjes pra nuk kemi se çfarë të presim, reflektim apo korigjim.

E habitshme është sjella e BE me një sundimtar të tillë ballkanas, që ledhatohet dhe merret me te mira, e teksa ai konsumon shkelje të rënda, masat ndaj tij janë gjysmake dhe kryesisht qortime.

Me këtë politikë të paqartë e të pavendosur, BE nuk po favorizon aspak Shqipërinë, por po e dëmton vendin dhe aspiratën tonë për integrim, duke i dhënë oksigjen një despoti që po bën hapa të kundërt me çka kërkon afrimi me familjen e kontinetit të vjetër.

Serioziteti i BE po vihet në lojë nga Edi Rama, i cili edhe pse i kishte zgjedhjet kusht për hapjen e negociatave, bëri votime me shkeljen brutale të të dhënave personale, me aleancën me bandat, dhe me përdorimin skandaloz të burimeve shtetërore në favorin e tij, apo me kërcënimet e paimagjinueshme ndaj administratës.

Të gjithë ata që e tolerojnë këtë standard, që mbyllin sytë, apo më keq, që e përgëzojnë Edi Ramën për fitoren, janë duke përkundur djepin e një djalli që po del jashtë kontrollit e po bën eksperimente në një vend që ka vokacionin më të madh pro-europian.

Dhe kjo është sak për të ardhur keq./MAPO