'Si po e pengon në gjykatë Niko Peleshi, hetimin për blerjen e votave në Korçë'

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është pengesa për hetimin e blerjes së votës nëpëmjet legalizimeve në Korçë. Ai nuk po e lejon as marrje në pyetje të zyrtarit të Kadastrës. Këtë denoncim e ka bërë sot publikisht, Edmond Spaho, deputet i zgjedhur i PD në këtë qark.

"Para më shumë se 1 muaji , - vërejti Spaho. - denoncova në media dhe kallëzova në Prokurori drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë për përdorimin e legalizimeve dhe lëshimin e certifikatave të pronësisë në këmbim të votave për PS.

Prokuroria nisi hetimin me vonesë dhe vetëm sot ka thirrur për të dëshmuar një nga zyrtarët e Kadastrës, Ndriçim Hoxha. Problemi nuk është vetëm vonesa e hetimit, por rreziku i shndërrimit në farsë, për shkak të ndërhyrjes në hetim të Niko Peleshit.

Niko Peleshi po i bën presion Prokurorisë dhe policisë gjyqësore duke mos lejuar që Ndriçim Hoxha të merret në pyetje.

Ai veproi njësoj edhe me rastin e Pogories, ku zyrtarë të Bashkisë Maliq u kapën me presh në duar në veprime të paligjshme ne lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit.

Abuzuesit u liruan, ata që ishin në ruajtje të integritetit të zgjedhjeve u ndaluan për bllokim rruge.

Sot kam një apel publik për Niko Peleshin: Ai duhet të heqë dorë nga presionet dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur blerjen e votës me mekanizma të paligjshëm.

Përdorimi i grupeve kriminale, përdorimi i administratës publike, punësimet e paligjshme, abuzimi me ndihmën ekonomike janë fakte të njohura gjerësisht për shitblerjen e votave në Korçë dhe Niko Peleshi me mercenarët e tij nuk do t’i shpëtojnë dot drejtësisë dhe ndëshkimit."