VIDEO/ ‘100 euro vota në Pukë, SPAK fshehu skemën e Rama-Doshi’

Partia Demokratike ka publikuar një tjetër skemë të blerjes së votës me 100 euro në Pukë. Sipas selisë blu, për këtë krim elektoral, Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka heshtur, edhe pse kallëzimi nga Partia Demokratike është bërë që në 16 prill

Partia Demokratike ka publikuar një tjetër skemë të blerjes së votës me 100 euro nga eksponentë të Partisë Socialiste në zonën e Pukës.

Nga selia blu, deputeti i zgjedhur në radhët e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj denoncoi emrat e zyrtarëve të Partisë Socialiste, si dhe qytetarëve që janë të përfshirë në këtë krim përgjatë procesit elektoral.

Sipas Alibeajt, në 25 prill, aleanca mes Edi Ramës dhe Tom Doshit ekzekutuan planin për të qëndruar në pushtet përmes blerjes së votave.

Alibeaj akuzoi SPAK se nuk ka ndërmarr asnjë veprim ndaj të paditurve, edhe pse Partia Demokratike kallëzimin e ka dorëzuar 9 ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit. 

Më herët Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK, Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila sipas selisë blu ka legalizuar në mënyrë të menjëhershme banesat e qytetarëve në këmbim të votave.