Maliqi: Thirrja ime 'zgjedhje të parakohshme, ngritje në këmbë e të gjithë Opozitës'

Deputeti i sapozgjedhur Lefter Maliqi nga radhët e LSI, ka kërkuar me forcë sot që Opozita e Bashkuar të bëjë rinumërimin e çdo flete votimi, sepse në 25 prill ndodhi në krim elektoral. Po ashtu, ai shprehu besimin se vjeshtën e ardhshme do të ketë patjetër zgjedhje të parakohshme.  

Maliqi tha, duke iu referuar Kryeministrit Edi Rama: “Ky nuk ikën pa një revolucion demokratik, unë kam bindjen totale qe PD, LSI, që Opozita e Bashkuar po mbledh te gjitha faktet e provat për të kërkuar zgjedhje të parakohshme në vjeshtën e ardhshme. Jam i bindur totalisht që kjo do të ndodhë.

S’mund të fitojë krimi elektoral, s’mund të blihet e ardhmja demokratike e vendit. Sot ne jemi de fakto në diktaturë.

Thirrja ime është e qartë, e saktë, zgjedhje të parakohshme, ngritje në këmbë e të gjithë opozitës, e gjithe shqiptareve për zgjedhje të menjëhershme, edhe lokale edhe të përgjithshme pa Ramën kryeministër. Nëse opozita pranon Ramën e një qeveri teknike me këta drejtorë, ky është krimi më i madh që mund të ndodhë. S’mund të ndodhë që Policia e Shtetit të vihet në shërbim të mafies e oligarkëve”.

Synimi i tyre ishte të godisnin sa më pak PD-ja që të  mos bëhej zhurmë e madhe e të godisnin LS-në. Me gjithë me këtë blerje masive, LSI-ja mbijetoi mbi 1000 mijë vota duke i rrëmbyer dhe 3 mandat. Jemi më të fortë se kurrë, këto zgjedhje s’do të njihen. Këto s’ishin zgjedhje por blerje, krim i mirëfilltë elektoral.

I bëj thirrje Opozitës së Bashkuar të bëjë cdo rinumërim të kutive se të gjithë e dimë se masakra elektorale ishte para, gjatë votimit dhe pas procesit të votimit.

Vrasës me pagesë mbi 30 vjet të dënuar në Kuçovë e Berat e në gjithë Shqipërinë u përdorën nga segmente të PS-së me presione e shantazhe, siç u shantazhua dhe administrata”.

Maliqi vërejti:

“Këto nuk janë zgjedhje, ky është një krim. Këto janë blerje, këtu është mafie. I bëj thirrje Lulzim Bashës të ngrejë popullin, të mos njohë zgjedhjet dhe menjëherë ta ngrejë, të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Të gjitha provat t’i marrë BE, SHBA dhe të përgatiten për zgjedhje. Këto lekë që morën shqitarët  t’i gëzojnë se janë lekët e tyre të vjedhura në vite dhe ky do të jetë ndëshkimi më i madh për oligarkët...

Nëse Opozita pranon këtë blerje, këtë manipulim,  këtë krim të rëndë elektoral të jeni të bindur që ta gëzojnë Erdoganin, ta gëzojnë Putinin dhe ta harrojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë."