Rikthehen shifrat e frikshme të kanabizimit, rritje me 40 përqind

Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, rrëzon tërësisht shifrat propagandistike të prezantuara në mënyrë periodike nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për kanabizimin e vendit. Gjatë vitit 2020 është rritur me 40% kultivimi i narkotikëve, krahasuar me një vit më parë. Gjithashtu janë regjistruar rreth 18% procedime penale më shumë se sa në vitin 2019, duke konfirmuar plotësisht se vendi po rrëshqet sërish në kanabizim, ngjashëm me periudhën 2016-2017

Shqipëria po rikthehet me hapa të frikshëm drejt kanabizimit të vendit. Gjatë vitit 2020, i cili i parapriu fushatës elektorale të 25 Prillit të këtij viti, Prokuroria Shqiptare konstaton rritje me 40 përqind të kultivimit të narkotikëve, krahasuar me një vit më parë. Raporti i Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, rrëzon tërësisht shifrat propagandistike të prezantuara në mënyrë periodike nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.

Kryeprokurori Olsian Çela, në raportin vjetor, informon Parlamentin se “numri i procedimeve për veprën penale të Kultivimit të Narkotikëve, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, është rritur me 40 përqind, krahasuar me vitin 2019”.

Sipas Çelës, gjatë vitit 2020 janë regjistruar 885 procedime penale me me 357 të pandehur. Nga ky total, rreth 145 procedime penale ose rreth 20 përqind e tyre janë dërguar për gjykim, ndërsa pjesa tjetër është nën hetim.

Numrin më të lartë të procedimeve penale për kultivimin e narkotikëve e ka regjistruar Prokuroria e Krujës, e ndjekur nga Prokuroria e Tiranës dhe më tej ajo e Vlorës.

Ndërsa numri më i ulët i rasteve është regjistruar në prokuroritë e Pogradecit, Kukësit, Matit, Përmetit dhe Pukës.

Kryeprokurori Olsian Çela raporton gjithashtu, se krahas kultivimit të narkotikëve, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe të gjithë veprat penale që lidhen me drogën, ku përfshihet edhe prodhimi e shitja, si edhe trafikimi.

Vërehet një tendencë rritjeje për të gjithë këtë grup veprash, citohet në Raportin mbi Gjendjen e Kriminalitetit.

Për vitin 2020 janë regjistruar rreth 18 përqind procedime penale më shumë se sa në vitin 2019, duke konfirmuar plotësisht se vendi po rrëshqet sërish në kanabizim, ngjashëm me periudhën 2016-2017.

Kjo situatë e rënduar kriminaliteti duket se ka cenuar edhe raportin e drejtë të qytetarëve me votën në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara të dielën e kaluar.

Partitë opozitare e kanë përmendur shpesh gjatë fushatës elektorale se eksponentë të krimit të organizuar, të përfshirë në kanabizim dhe trafik narkotikësh, janë rreshtuar në krah të maxhorancës së Edi Ramës dhe kanë blerë vota apo kanë intimiduar zgjedhës, për t’i siguruar një mandat të tretë qeverisë së “Rilindjes”.

Konflikti në Elbasan, i ndodhur katër ditë para zgjedhjeve, ishte një konfirmim i qartë se eksponentë të krimit të organizuar po kryenin fushatë të dhunshme në favor të Partisë Socialiste, nëpërmjet blerjes së votave dhe kërcënimit të qytetarëve. Dyshimet e ngritura nga partitë opozitare marrin një përgjigje, gjithsesi indirekte, në Raportin e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili konfirmon rritjen e ndjeshme të narko-trafikut në Shqipëri gjatë vitit 2020.