Skandalet e PS me votat/ Avokati: Qytetarët mund të bëjnë arrestime

Avokati Adriatik Lapaj, ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në Elbasan, Berat dhe Maqellarë të Dibrës përsa i përket mjeteve janë ndaluar pasi janë konstatuar duke kryer veprimtari të paligjshme siç është shitblerja e votës.

Avokati Lapaj mbështet veprimin e banorëve, të cilët kanë ndaluar makinat në të treja rastet si në Berat, Elbasan ashtu edhe në Dibër, duke argumentuar se një veprim i tillë është në përputhje me ligjin. Sipas tij, kushdo që kap në flagrancë duke kryer një akt të paligjshmë është i autorizuar të ndalojë shkelësit e ligjit dhe të lajmërojë policinë.

Postimi i plotë: 

LIGJI U NJEH TË DREJTËN QYTETARËVE TË ARRESTOJNË NË FLAGRANCË VETË KËDO KRYEN NJË KRIM ZGJEDHOR

Kushdo konstaton një person që kryen një krim zgjedhor duke blerë votë sipas nenit 328 “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, duke shitur votë sipas nenit 328/b “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, duke penguar zgjedhësit të votojnë sipas nenit 330 “Pengimi i zgjedhësit”, duke marrë apo përdorur dokumentat e të tjerëve sipas nenit 331/a të Kodit Penal bazuar në nenin 251 pika 1 dhe 4 të Kodit të Procedurës Penale është i AUTORIZUAR të ARRESTOJË në flagrancë shkelësin e ligjit me detyrimin për ta dorëzuar menjëherë te oficeri i policisë gjyqësore.

MOS E SHIT VOTËN!