Të shqetësuar pse PD mbron votën, jo pse qeveria e blen

Sipas një skenari të njohur tashmë, ngjarjen në Elbasan, analistët e qeverisë dhe makineria e saj propagandistike nisi ta përdorë për kredite politike e u sul të përfitojë prej saj, pa treguar interes për zbardhjen, hetimin dhe transparencën.

Skema është e thjeshtë. Ta ndajmë opinionin në mes, të nxisim gjykim, pa qënë nevoja për të ditur gjithë provat e faktet.

Qeveria dhe analistët e saj nuk janë të shqetësuar pse humbi një jetë njeriu dhe u plagosën 4 të tjerë.

Ata po ngrenë zërin e po çjerrin fytin përse PD ka krijuar struktura për mbrojtjen e votës, duke bërë kështu një autogol. Duke pranuar që vullneti i qytetarëve, ka nevojë të mbrohet, sepse blihet.

Dhe po synojnë të nxisin kështu emocione dhe sulme e urrejtje ndaj PD, jo për shkakun fillestar, jo për zanafillën, që është blerja e votës, por për mbrojtjen e saj.

Kjo tentativë nuk ka për të ecur. Dhe në fakt ra që mbrëmë.

Taulant Balla u diskretitua në dy studio televizive, la kockat dhe retorika e tij nxitëse e përçarëse, pasi gazetarë e analistë me kurajo e të parreshtuar me qeverinë, ja thanë fare hapur se ai është përgjegjësi.

Konflikti, tensioni, blerja e votës, shfrytëzimi i personave me precedent penalë, bëhen që Taulant Balla të ruajë pushtetin, të ruajë privilegjet.

Dhe në këtë pikë, çdokush duhet të jetë në një mendje sot. As edhe një mizë, e jo më një jetë njeriu, nuk duhet të sakrifikohet në Elbasan, apo kudo, që një politikan, kushdo qoftë ai, të vijojë të sundojë, të ndajë tendera e favore, e të shtojë pasurinë e tij personale.

Fjalën e fundit do ta thonë shqiptarët të dielën që po vjen. Ata do ta ndajnë kandarin e opinionit, dhe po të lihen të votojnë të lirë, me siguri se do t’i bëjnë me turp propagandën dhe analistët e qeverisë./MAPO