Sulmi në zyrat e PD/ Zyrtarët e PS me grushta, Jonuzi me pistoletë

Zbardhen detaje të reja nga plagosja e sekretarit të Partisë Demokratike në Kavajë, Bledar Okshtuni. Policia ka shpallur në kërkim tre persona, të cilët akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim.

Përveç Ndriçim Jonuzit (Tahiri), i cili qëlloi me pistoletë në këmbë Okshtunin, janë shpallur në kërkim edhe 29-vjeçarët Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla. Ky i fundit është drejtor i Policisë Bashkiakë Kavajë, dhe Dorian Troplini, punonjës i Bashkisë Kavajë.

Troplini dhe shtylla kanë qenë të parët që kanë nisur sherrin. Ata kanë hyrë në zyrën elektorale të PD dhe e kanë dhunuar me grushte sekretarin demokrat. Më pas, ka shkuar Jonuzaj dhe e ka qëlluar me pistoletë, duke e lënë të plagosur.

Më pas ka ardhur Jonuzaj dhe e ka qëlluar me pistoletë. Pas krimit ai është larguar i qetë nga vendi i ngjarjes.

Në një video të publikuar në media, autori i dyshuar shfaqet i qetë në momentet e para pas kryerjes së krimit, teksa del nga zyra elektorale e PD-së i pashqetësuar nga askush edhe pse vendi ishte plot me qytetarë. Ai futet në një mjet tip fuoristradë ngjyrë e zezë në vendin e pasagjerit dhe më pas largohet. Pas tij, nga zyra elektorale del edhe i plagosuri, Bledar Okshtuni, të cilin e mbajnë në krahë dy djem të tjerë teksa e shoqërojnë drejt një mjeti ngjyrë gri për ta dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Forcat e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku pasi u bë këqyrja e vendit, shpalli në kërkim shtetasin Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, si të dyshuar për plagosje me armë zjarri. Strukturat vendore të Policisë së Kavajës ngritën menjëherë pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit për kapjen e autorit.

Policia në njoftimin e saj thotë se 27-vjeçari Bledar Okshtuni u plagos me një plumb në këmbë dhe fatmirësisht, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana e saj, Policia ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të cilët ndodheshin në vendngjarje në momentin që nisi konflikti që përfundoi me përdorimin e armës dhe plagosjen e 27-vjeçarit.