Studimi në Izrael: Maskat kanë ulur astmën

Studimi i një Spitali në Izrael, ka dalë në pëfundimin se ka pasur një rënie prej 65% të shtrimit në spital të pacientëve të rëndë me astmë. Qendra Mjekësore Sheba, ka pasur një rënie prej 45% të numrit të vizitave urgjente në dhomën e urgjencës së spitalit nga të sëmurët me astmë në 2020-n kundrejt vitit 2019.

Profesoreshë Nancy Agmon-Levin, e cila ka kryer studimin, ka thënë për “The Jerusalem Post”, se ajo beson se “maskat kanë bllokuar agjentët infektivë dhe polenin”.

Ajo është shefja e Njësisë së Imunologjisë Klinike të Sheba, Angioedemës dhe Alergjisë. Nancy-Agmon-Levin është shprehur se ekipi i saj ka dëgjuar komentet nga pacientët, që kanë thënë se kishin shumë më pak alergji këtë vit, në krahasim me vitet e mëparshme.

“Ne menduam se kjo gjë ka ndodhur për shkak të mbajtjes së maskave, e menduam se si mund ta provonim idenë tonë”, ka shpjeguar ajo duke shtuar: “Ne kontrolluam referimet në departamentin e urgjencës për shkak të astmës, nga të cilat 80% në 90% të të gjithë pacientëve me astmë janë për shkak të alergjive”.

E ndërsa kishte ulje kaq të mëdha në referimet e astmës, kishte vetëm rreth 10 për qind një rënie në referimet e përgjithshme të departamenteve të urgjencës gjatë së njëjtës periudhë.