Navalni rrezikon jetën ‘për pak ditë’

Kritiku i qeverisë dhe i presidentit rus, Aleksei Navalni, rrezikon vdekjen pasi burgu ku ai po mbahet nuk po kujdeset sa duhet teksa shëndeti i opozitarit sa vjen e përkeqësohet. Edhe presidenti amerikan, Bajden, e ka quajtur të padrejtë trajtimin mjekësor që po i jepet.

Opozitari rus, Aleksei Navalni, është në rrezik për jetën për shkak të shëndetit të dobët dhe kushteve të burgut ku po mbahet.

Doktorët thonë se pa kujdesin e duhur, 44-vjeçari mund të vdesë brenda pak ditëve.

“Kemi dy ditë që presim me shqetësim për ta parë urgjentisht, por nuk po marrim përgjigje nga zyrtarët e burgut. Veshkat nuk i funksionojnë mirë dhe ka aritmi të rënduar të zemrës,” shkruan tre doktorë dhe mjekja personale e opozitarit.

Navalni ka gati 3 javë që ka hyrë në grevë urie për një trajtim më të mirë për dhimbjet e forta, hernien diskale, sëmundjet respiratore dhe humbjen e ndjesisë në gjymtyrë.

Bashkëshortja e tij tha këtë javë se 44-vjeçari ka humbur rreth 9 kg peshë trupore.

Gjendja e tij është përkeqësuar prej muajit shkurt kur gjykata vendosi ta burgosë për akuzën e vjetër të përvetësimit të fondeve.

Ndërkohë në muajin gusht të vitit të kaluar, ai rrezikoi vdekjen për shkak të helmimit me një gaz paralizues që, sipas tij, u përdor me urdhër të kundërshtarit, presidentit Vladimir Putin.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ka kërkuar Rusisë ta lirojë opozitarin nga burgu.