Vetëm 24 përqind/ As patronazhistët nuk e nxjerrin Ramën fitues

Databaza e Partisë Socialiste për Tiranën jep të dhëna interesante mbi zhvillimet demografike në kryeqytet, punësimin, emigracionin dhe mbi të gjitha preferencën e votuesve, duke “konkurruar” denjësisht edhe censin e popullsisë, i cili nuk po arrin të bëhet nga INSTAT fillimisht nga pandemia dhe më pas nga periudha zgjedhore.

Teksa zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë, nga të dhënat e databazës për rreth 910 mijë votues në Qarkun në Tiranës, 14% e tyre nuk jetojnë në Shqipëri dhe janë identifikuar si emigrantë.

Nga 782 mijë persona votues potencialë që jetojnë në Shqipëri, shihet se Partia Socialiste nuk është e sigurt për votën e 538.1 mijë e personave ose 69% e totalit të votuesve potencialë, sipas përpunimit të të dhënave nga “Monitor”, bazuar në sistemin e të dhënave, që rrodhi së fundmi në media dhe u publikua fillimisht nga Lapsi.al.

Nga votuesit potencialë që janë në Shqipëri, 24% e tyre, nga verifikimet e të ashtuquajturave “patronazhistë” japin një votë të sigurt për Partinë Socialiste dhe për 7% të tjerë nuk ka informacion (shih grafikun).

Pjesa e votuesve që nuk janë të sigurt për Partinë Socialiste përfaqësojnë persona për të cilët PS nuk ka informacion ose i konsideron të luhatshëm në qëndrimin e tyre me votë, ose janë votues të një partie tjetër.

Lista që radhit votuesit me numër identifikimi, vendbanim, vendin e punës, etj., ka zbuluar se, nga totali i votuesve, rreth 127 mijë ose 14% kanë emigruar, pra nuk banojnë më në Tiranë.