DOKUMENTI/ Zbulohet roli i ‘patronazhistëve’ në ditën e votimit

Në një kohë që Partia Socialiste mohon ekzistencën e patronazhistëve, Syri Televizion ka zbuluar detaje nga struktura e ngritur nga mazhoranca për të monitoruar votuesit në 25 prill.  Patronazhistët janë të ndarë në dy grupe, ndërsa sipër tyre është një tjetër person i cili quhet “I deleguari” dhe merr informacion nga patronazhistët.

Misioni i patronazhistëve nuk mbaron me listat e zgjedhësve, ku ashtu siç është bërë e ditur duhet të identifikonin zgjedhësit dhe preferencat e tyre politike.

Por patronazhistët janë ngarkuar të kenë mision të posaçëm ditën e votimit. Konkretisht, sipas këtij dokumenti që ka siguruar Syri Televizion, patronazhistët do të veprojnë në dy grupe. Ata që kanë aftësi teknike, do të përdorin një aplikacion, ku do të kenë listën me të gjithë votuesit e PS që patronazhisti ka në ngarkim.

Detyra e patronazhistit me aplikacion është që të raportojë në kohë reale ditën e votimit mbi statusin e secilit votues, pra nëse votuesi ka shkuar në qendrën e votimit apo jo. Patronazhistët e grupit të dytë, apo ata që nuk kanë aftësi teknike, do të punojnë me lista në mënyrë manuale duke raportuar tek i deleguari i partisë në kohë reale për statusin e votuesve të PS që kanë në ngarkim.

Ky është një tjetër detaj, i cili përforcon faktin se Partia Socialiste jo vetëm që ka ngritur një skemë të mirëorganizuar për të kontrolluar votuesit, por është duke përdorur të dhënat personale të qytetarëve në funksion të kësaj skeme.