‘Gjoba e fikje sinjali, po nuk bëre ‘qokat’ elektorale’/ Reporterët pa Kufij thirrje qeverisë të heqë sanksionet

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ‘Reporterët pa Kufij’ shprehin shqetësimin për sanksionet e tepruara me të cilat po përballen mediat në Shqipëri.  

Reporterët pa Kufij i bëjnë thirrje qeverisë shqiptarë të heqë këto sanksione, nëpërmejt një statusi në Twitter.

“Përpara zgjedhjeve parlamentare Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin  për sanksionet e tepruara që mediat po përballen me ndryshimet e reja në  Kodin Zgjedhor që lejojnë shtetin të mbyllë median për 2 ditë dhe të vendosë gjoba të rënda. Reporterët pa Kufij i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të reduktojë menjëherë këto sanksione!”

Kodi parashikon gjoba e fikje sinjali, po nuk bëre “qokat” elektorale.

Ndryshimet e kodit zgjedhor ne korrik të vitit 2020, përfshinë disa nene për median të cilat në periudhë zgjedhore mund të kthehen në cënim të lirisë.

Përveç gjobave të majme në ligjin elektoral parashikojnë edhe mbylljen e  mediave deri në 48 orë.

Në kod thuhet se  radiot dhe televizionet private, mbulimi i fushatës elektorale duhet të bëhet vetëm në edicionet e rregullta dhe speciale informuese dhe atyre nuk u lejohet t’u japin kohë transmetimi subjekteve politike për mbulim fushate.

Neni 84, pika 2 shkronja a,  sanksionon se nëse media shkel ekuilibrin e kohës së dhënë, ato mund të gjobiten nga 15 milion lek të vjetra deri në 30 milion lek.

Jo vetëm kaq, por në qoftë se shkeljet përsëriten KQZ urdhëron autoritetin e mediave që të mbyllin sinjalin për 48 orë.