Basha: Rimbursim sipas diagnozës dhe fund mafies së ilaçeve falso

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur sot në veçanti për barnat, farmacitë dhe reformën shëndetësore gjatë një takimi me profesionistë të ndryshëm në Njësinë nr.7 në Tiranë.

Basha tha: “Për farmacitë në veçanti kam edhe diçka tjetër. Në reformën tonë shëndetësore pa diskutim rimbursimin sipas diagnozës zë një vend të veçantë dhe një nga grupet e interesit me të cilën kemi diskutuar është Urdhri i Farmacistit, që t’i japim fund mafies së ilaçeve, që ilaçet që hyjnë në Shqipëri të mos jenë skarco apo ilaçe fallco që i blen dhe nuk të shërojnë.

Prandaj ne do të rikthejmë cilësinë e barnave dhe do të kthejmë një kriter, në Shqipëri të moshuarit shqiptarë, pensionistët shqiptarë, foshnjet shqiptare dhe çdo pacient shqiptar do të kurohet vetëm me medikamente të aprovuar nga agjencitë e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Japonisë, Australisë, pra të vendeve të OESI-së.

Reforma jonë shëndetësore do të mundësojë në radhë të parë që këto para të shkojnë për reformimin e shëndetit publik, që paraja të ndjekë pacientin dhe që brenda dy vjetëve të parë përmes kësaj reforme të ndalet largimi i mjekëve dhe infermierëve dhe të ofrohet cilësi e shërbimit shëndetësor në spitalet publike he në sistemin shëndetësor në tërësi, të paktën e të njëjtit nivel siç ofrohet në vendet e rajonit për të përparuar më tej pastaj drejt nivelit europian.

E treta për farmacistët, dhjetëra-mijëra familje në Tiranë, ndoshta qindra-mijëra në gjithë Shqipërinë kanë kaluar COVID-in me një, dy, apo nganjëherë të gjithë familjarët e sëmurë me COVID. Po ashtu po hartojmë së bashku me ekspertët më të mirë, një paketë për rimbursimin retroaktiv me efekt prapaveprues të të gjitha familjeve të dëmtuara në financat e tyre nga pakujdesia, nga neglizhenca e nga braktisja e kësaj qeverie” – tha Basha.