Basha: Fiskalizimi do anulohet, do i kursejmë biznesit 400 deri në 2000 euro në vit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar nj? takim me profesionistë të lirë në njësinë 7, në Tiranë, ku u është përgjigjur pyetjeve në lidhje me problemet që i shqetësojnë. 

Farmacistja Stela Shulla, ngriti shqetësimin për mënyrën e fiskalizimit, pasi sipas saj, për biznesin është kosto shtesë.

“Doja të dija në lidhje me fiskalizimin. Ne përveç ngarkesës që kemi patur këtë periudhë, kemi kosto shumë të madhe shtesë që na faturohet dhe kjo. Nuk dimë se si do shkojë dhe çfarë do ndodhë. Ju çfarë keni në programin tuaj për ne, në lidhje me fiskalizimin” - tha Stela Shulla.

Ndërsa kontabilisti Edvin Gaçe, tha se ndryshimi i shpejt i kuadrit ligjor për biznesin, bëhet pengesë në thithjen e investimeve të huaja. 

“Ajo që dua të them dhe që kam parë unë nga puna ime si shqetësim dhe jo e imja si kontabilist, por i biznesit në tërësi është ndryshimi i shpejtë dhe me intensitet të jashtëzakonshëm i kuadrit ligjor, çka bëhet e vështirë për ne që jemi profesionistë të fushës dhe jo më për biznesin që të vijë dhe të ambientohet apo të parashikojë një investim të ardhshëm. A keni menduar një paketë fiskale, të paktën për pjesën fiskale, një paketë ligjore që të jetë afatgjatë por dhe investitorët e huaj por dhe vendas, pasi dhe ata janë shumë të rëndësishëm për ne të kenë një projeksion të buxhetojnë apo të dinë fitimin e tyre në vijim apo jo” – u shpreh kontabilisti Edvin Gaçe.

Ndryshimi i sistemit të taksimit disa herë në vit, sipas Bashës është tregues i ngecjes në vendnumëro të ekonomisë shqiptare. Kreu i opozitës shpjegoi planin e Partisë Demokratike që në radhë të parë synon të anulojë fiskalizimin, pasi sipas tij, kjo është një aferë korruptive që do të hetohet. Ai gjithashtu tha se me tavanin 0.5% të xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, si dhe pulla fiskale në hyrje të biznesit, janë dy garancitë e qeverisë së ardhshme që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Nuk është e rastësishme që ekonomia ka ngelur në vendnumëro dhe që në 8 vite janë ndërruar kushedi sa herë sistemet e taksimit të biznesit. I tillë është dhe i ashtuquajturi fiskalizim, - tha Basha.

"Në fakt bëjmë gabim t’i themi fiskalizimi, është i ashtuquajturi fiskalizim, një aferë e nisur prej kohësh, e denoncuar nga ne dhe gjetën një moment, para zgjedhjeve, ku menduan se kanë bërë sa kanë bërë PPP e koncensione, e po bëjnë dhe fiskalizimin.

Në fakt plani ynë është i qartë dhe i thjeshtë. Fiskalizimi do të anulohet!

600 deri në 2000 euro që duhet të paguajë biznesi i vogël, pasi i jepet fatura e energjisë dyfish krahasuar me dy vite më parë, pasi është rritur çmimi i naftës, pasi me çdo gjobë i merret fitimi i muajit, nganjëherë dhe i vitit, biznesi i vogël nuk do të paguajë koston e fiskalizimit dhe kjo aferë do të hetohet deri në fund, ashtu siç kemi thënë prej ditës së parë, ashtu siç kemi denoncuar me fakte sepse për biznesin e vogël dhe të mesëm, që për ne fillon nga 140 milionë lekë të vjetra, do ketë një dhe vetëm një masë.

0.5% tavani i xhiros vjetore për taksat dhe tarifat vendore, një pullë fiskale në hyrje të biznesit, që do të ndalojë praninë e tatimorëve, janë dy garancitë që do të çlirojnë biznesin e vogël dhe të mesëm që është kolona vertebrale, është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare.