Kokaina në Durrës, cila është kompania me qendër në Tiranë që priste kontenierin

Janë zbuluar detaje të reja lidhur mbi sasinë e madhe të kokainës që u sekuestrua këtë mesditë në Portin e Durrësit, ku deri më tani dyshohet për të paktën 200 kg kokainë.

Kontenieri me fruta që vinte nga Ekuadori, ku u kap kokaina, mësohet se i përket firmës, Masabi Fruits, me qendër në Kombinat. Policia ndërkohë ka bërë edhe shoqërimin e një punonjësi të kësaj firme, që po priste kontenierin.

Deri më tani ajo që dihet është se kokaina ishte fshehur në tavanin e modifikuar të një kontenieri.

Në vendngjarje aktualisht ndodhet një prokuror i Posacëm i SPAK, i cili po ndjek veprimet e Policisë në kontrollin dhe më tej peshimin e lëndës.

Droga u kap fillimisht nga skaneri, që diktoi lëndën e dyshimtë që ishte në tavanin e kontenierit, të ndarë në pako të veçanta.