Koreja e Jugut prezanton avionin e ri luftarak supersonik

Koreja e Jugut është futur në grupin elitar të shteteve që kanë avionë luftarakë supersonikë, pasi prezantoi të premten modelin KF-21, pjesë e një programi investimi prej 5,2 miliardë dollarësh, me të cilin shpreson të bëhet eksportues botëror.

Avioni do të ketë predha të kalibrave të ndryshëm, si dhe do të fluturojë falë dy motorëve të fuqishëm. Ai do të vijë në dy modele, me një dhe dy vende, në varësi të misionit që do të duhet të kryejë.

Presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in, tha në një dalje për mediat se prodhimi masiv i avionëve nis së shpejti. Synimi është realizimi i 40 mjeteve brenda vitit 2028 dhe 120 brenda vitit 2032.

Koreja i bashkohet kështu Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Japonisë, Francës, Suedisë dhe një konsorciumi europian të përbërë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Spanja, që kanë në dispozicion avionë me kapacitete të tilla luftarake.