Marquez merr ‘OK’ nga mjekët, rikthehet në pistë pas 9 muajve

Kalvari i gjatë i vuajtjeve ka marrë fund për Marc Marquez. 6-herë kampioni i botës në klasin mbretëror ka lënë pas dëmtimin në krahun e djathtë për shkak të të cilit humbi të gjithë sezonin e kaluar të Moto Gp dhe fillimin e këtij sezoni dhe është gati për t’u rikthyer në pistë.

Tre operacione kreu piloti i Hondas, i cili ka marrë ditën e premte lajmin e mirë. Rikuperimi ka shkuar mirë, diçka që është konfirmuar në kontrollin e fundit me mjekët.Këta të fundit i kanë dhënë dritën jeshile për t’u rikthyer për garën e 18 prillit në Portimao. 28-vjeçari ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, aty ku shfaqet më i lumtur se kurrë.

“Jam shumë i lumtur. Dje bërë një vizitë dhe mjekët më dhanë leje për t’u rikthyer në pistë. Kanë qenë 9 muaj të vështirë, me shumë momente pasigurie dhe ulje-ngritje.   Tani mund të shijoj sërish pasioni tim. Shihemi javën tjetër në Portimao“, shkruan kampioni iberik i garave të shpejtësisë.