Arma me të cilën autorët vranë gazetarin grek ishte ‘e pastër’

Një ngjarje e rëndë u shënua ditën e djeshme në Athinë, Greqi, pasi një gazetar i kronikës së zezë u ekzekutua nga dy persona ende të paidentifikuar.

Gazetari, George Karaivaz, u ekzekutua para shtëpisë së tij sapo ishte kthyer nga një emision ku kishte qenë i ftuar.

Por së fundmi ekzaminimet balistike për armën e përdorur në vrasjen me gjak të ftohtë të gazetarit kanë përfunduar. 

Rezultatet tregojnë se arma ishte "e pastër", domethënë nuk është përdorur në ndonjë vepër tjetër kriminale.

Për momentin, zyrtarët e policisë që kanë marrë përsipër çështjen po përdorin gjithashtu mjete teknike, duke skanuar celularët që ndodheshin në një distancë të shkurtër.

 Autoritetet shpresojnë të gjejnë disa prova që do t'i ndihmojnë ata në hetimin e veprës penale.

 Gjithashtu, janë duke u studiuar dhe kamerat e sigurisë në zonën e gjerë të Alimos në mënyrë që të lokalizojnë skuterin gjatë kohës në fjalë.