'Por Covid-19 qenka tmerr...': Ndërron jetë gazetarja Anila Dushi, intelektualja e mirënjohur shkodrane

Gazetarja e mirënjohur nga Shkodra, Anila Dushi, 54 vjeçe, ka humbur jetën nga ndërlikimet e COVID-19. Lajmin e trishtë për humbjen e saj e kanë dhënë figura politike, miq e kolegë me të cilët ajo ka punuar prej vitesh. Me 21 vite përvojë gazetari, Anila Dushi ushtronte edhe profesionin e arsimtares.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, shkroi në Fb: "E vështirë me e nis ditën me një lajm të trishtueshëm! Anila Dushi, shoqe, mike, mësuese e gazetare, nuk asht ma mes nesh. Humbje për gazetarinë, publicistikën, miqtë e të njohurit e shumtë e mbi të gjitha për të afërmit. Pushofsh në në paqe Anilë, do të të kujtojmë gjithmonë! Lamtumirë!".

Një gazetar shkroi se “Covid na mori një nga gazetaret, që përveçse një kolege e mike e mirë, u kthye në një “nënë” të dytë me këshillat që i jepte çdo kolegu gazetar . Pothuajse i gjithë brezi i ri  i gazetarëve në Shkodër u rrit në kompjuterin tënd, - shkruan Ardi Hoti. - Në atë kompjuter gjenden fotot e gazetarëve që kur ishin “fëmijë” e derisa u bënë me fëmijë. E vështirë për këdo t’i thotë lamtumirë Anila Dushit”.

Një aktiviste nga Shkodra shkroi: "Lamtumire mikja jone e nderuar dhe e respektuar ne gjithe Shkodren Gazetarja dhe mesuesja e talentuar Anila Dushi. Ishe nje nga ikonat e grave te respektuara te Shkodres ne aktivitetet tona te Levizjes “Grate frymojne vlera” dhe e gatshme per te dhene kontributin tend." 

Deputetja e Shkodrës Senida Mesi tha: "Ky virus i rrezikshëm i mori jetën sot një gruaje të fortë dhe gazetares të shkëlqyer, shkodranes Anila Dushi. Edhe në momentet e fundit të jetës arrite të shkruash e të ndash me ne dhimbjen dhe luftën që po bëje me Covid.... Është shumë trishtim dhe mërzi kur humbet miq e të njohur, më të cilët ke bërë një rrugëtim jete, sado i vogël të ketë qenë ai. Ideja e humbjes dhe mendimi që nuk do i takosh më, lë një vend bosh...... e sot secili nga ne ka shumë vende bosh në mendje e zemër. Anilë, të qoftë i lehtë dheu dhe do të kujtoj gjithmonë si miken që asnjëherë nuk kurseu fjalët e ambla për mua. Ngushëllime familjarëve dhe miqve!"

Anila Dushi u largua nga jeta, por jo pa lënë dhe në momentet e fundit të jetës një paralajmërim për të gjithë ndjekësit e saj, një paralajmërim që merr forcë nga pena e saj si gazetare dhe e vërteta që ka përcjellë ndër vite.

Ajo shkroi nga shtrati ku vuante prej COVID-19: “Kam besuar që në fillim se Covid-19 është një luftë botërore, kam dëgjuar mjaft nga ata që e kanë kaluar. Por qenka tmerr” – ka theksuar ajo në mesazhin e fundit në Fb në 4 prill 2021.

Gazetarja Anila Dusha është e njohur për artikujt e shumtë në BIRN, rrjetin investigative të gazetarëve, ku ka ngritur problemet e mëdha të qytetarëve të Shkodrës.

Një nga artikujt e fundit në këtë rrjet të Anila Dushit ishte në mbështetje të grave të dhunuara. “Mekanizmi I çalë I mbrojtjes I lë në baltë gratë e dhunuara”, shkruante gazetarja e ndjerë më 29 mars 2021, në një nga artikutj e fundit para se t’I merrte jetën sëmundja.

Pak më herët, Anila Dushi iu bë krah punëtorëve të aksidentuar, që nuk mbështeteshin nga shteti. “Kodi i heshtjes: Punëtorët e aksidentuar në mëshirë të punëdhënësve”- shkroi ajo më 18 shkurt 2021.

Por le të mos lëmë pa përmendur problemin e madh të ëprmbytjeve në Shkodër, për të cilat Anila Dushi më 11 shkurt botoi më 1 shkurt për Obotin dhe emergjencat mjekësore që detyroheshin të përdornin varkat.

Anila Dushi la gjurmë në qytetarin e saj dhe kontribut të nderuar në gazetari.  Edhe ata që nuk e njohën personalisht, kanë pasur mundësinë dhe e kanë të njohin vlerat e saj si qytetare, si intelektuale në shërbim të vendit të saj dhe të njerëzve./ar.sh/SYRI.NET