Pamje brenda laboratorit të drogës, 'drejtori i Ramës' u lajmërua...

Pavarësisht se policia e ka trajtuar si sukses operacionin “Gjurmë 2021” pas të cilit u zbulua e një magazinë e cila shërbente si laborator droge në Kurbin, mësohet se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në ministrinë e Punëve të Brendshme, ka iniciuar një hetim për dekonspirim të aksionit në fjalë.

Kjo pasi zyrtari i lartë në këtë rreth, Edmond Stojani, që mbante postin e drejtorit të Kadastrës, edhe pse po gjurmohej prej kohësh, në momentin e ekzekutimit të operacionit ka mundur që të arratiset.

Edmond Stojani tashmë rezulton i shpallur në kërkim policor, por ngelet mister se nga kush u njoftua ai për urdhër arrestet që u ekzekutuan mbrëmë natën.

Policia arriti që të vërë në pranga vetëm shtetasin, Vranicki Hisku 24 vjeç, i cili në bashkëpunim me kreun e Kadastrës zhvillonin aktivitetin kriminal. 

Hisku është njëkohësisht edhe  nipi i  drejtorit Stojani, i cili dyshohet se është njoftuar në momentin e fundit për operacionin që po kryente policia.

Stojani dhe Hisku akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua  një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike. Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Hisku është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar.