Basha: Paratë do të shkojnë te bujqësia, siç e bën Kosova ta bëjmë edhe ne realitet!

"Do mbështetje si në çdo vend tjetër të botës?! Do të keni mbështetje. Subvencionet një, këto rrugët që këtu që mezi i kalon edhe këto do të jenë pjesë, do të keni 150 milionë euro në vit për infrastrukturën bujqësore. Që ne do t’i bëjmë subvencionet realitet kjo është 1000% e sigurt."

Këto ishin fjalët e kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës, drejtuar sot gjithë fermerëve të vendit, gjatë bisedës me zetoristin Lulzim Noreci në fshatin Mizë.

"Do të shkojnë paratë tek bujqësia, do të shkojnë aty ku jeton gjysma e popullsisë, - tha Basha. -  Pra Kosova e bën do ta bëjmë dhe ne realitet. Dhënia e subvencioneve, ndërtimi i infrastrukturës bujqësore, dhënia e aksesit tuaj në treg, ulja e çmimit të naftës me 240 lekë, drejtë për së drejti juve ju fusin në treg. Dhe çfarë do bëjë? Ngaqë futesh në borxh, se më the e shet nën kosto lakrën, ti do kesh fitim. Kur ke fitim ti dhe familja jote ka fitim dhe konsumatori në qytet. Kur ka fitim dhe konsumatori në qytet, fiton edhe shteti.

Pra, ne sot jemi në një cikël dështimesh. Dështon ai t’ju ndihmojë ju sepse ndihmon vetëm veten e tij, dështoni ju të shisni prodhimet sepse nuk i nxirrni dot në treg, dështon familja shqiptare të sigurojë ushqim cilësor me çmim të përballueshëm.

Me 25 prill ndryshimi do të jetë pikërisht kjo. Do fusim një cikël pozitiviteti. Do fitosh ti, subvencionet e tua, subvencionet që do marrësh nga shteti do të mundësojnë që produktet e tua të shiten dhe ti të dalësh me fitim, do fitojë konsumatori shqiptar sepse ti me ato subvencione do e nxjerrësh me çmim më të ulët dhe në momentin që fitojnë edhe fermerët edhe konsumatorët, ka fituar dhe shteti. Ky është ndryshimi i dashur. Prandaj, të ftoj me 25 prill, të gjithë masivisht për ndryshimin që është për ju.” – tha Basha.