Fermeri nga Divjaka - Bashës: Më duket ëndërr 'subvencioni për bujqësinë', ndaj vota ime është për programin tënd!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hipur në zetorin e fermerit Lulzim Noreci në fshatin Mizë të Divjakës gjatë kohës që ai punonte për të dëgjuar me vëmendje të gjitha problemet që Noreci i shtronte dhe çfarë priste nga qeveria e re pas 25 prillit.

"Unë e kam dëgjuar dhe e kam studiuar programin e PD-së, - tha Noreci -  dhe më pëlqen shumë mbështetja e bujqësisë, subvencionet!  Më duken ëndërr! I kam thënë edhe Alibeajt, më duket si ajo historia që tregojnë "do të martojmë o bir! - S’besoj baba!”

Basha e ka pyetur në veçanti fermerin nëse e dinte për subvencionet që jepte Kosova për prodhimet e saj dhe Noreci i tha se e ka marrë vesh kur nuk i shitej qepa në Divjakë! "Unë nuk e dija se nuk jam ekonomist, jam bujk, por kur e mora vesh se  … sa gjysma e Shqipërisë! Po ku shkojnë këto para të këtij populli?!! E do Edi Rama, trangullin, domaten, pataten e Divjakës?! ...Ne duhet të jemi krenar që jemi nga Divjaka, ky vend i begatë. Prodhohet, problem është shitja.

Nuk kemi mbështetje nga shteti absolutisht! Po qe për subvencione, nuk flitet fare! Këtu është makabër, nuk të njeh fare. As karburant, sepse karburanti është baza jetike e një. Nuk ta njeh njeri, unë po të them kam 7 hektarë tokë që po i administroj, ore, absolutisht zero! Zero! Nuk të mbështet njeri fare, nuk do t’ia dijë se prodhon, se akoma je gjallë apo ke vdekur! Absolutisht! E gjen mundësinë ta blesh vetë? U rrit dapi dhe nitrati tani para zgjedhjeve. 1200 lekë kuintali!!! Çmenduri! Unë i marr tokat me qira, kam 7 hektarë toka, në rëra i kam 10 000 lekë dynymi dhe në dhera i kam 15 000 lekë dynymi. Toka jonë punohet tri herë, unë po të marr ekonomistë dhe ekonomisti i bie llogarisë, unë dal piramidë, i falimentuar!” – tha Lulzim Noreci. 

Basha tha se problemet e fermerëve janë të ditura tashmë dhe se qeveria nuk ka mbështetur fermerët as sa vendet e rajonit. Ai përsëriti programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, i cili parashikon 100 milion euro subvencione për fermerët, 150 milion euro për infrastrukturën bujqësore dhe uljen e çmimit të naftës me 240 lekë. 

“Unë nuk mendoj se i bëhet vonë atij për produktet e Divjakës - tha Basha, -  por nuk është kjo çështja që dua të diskutoj me ty. Ajo që dua të them është që në qoftë se Kosova me gjysmën e buxhetit të Shqipërisë arrin të japë subvencione, në qoftë se Maqedonia me një buxhet afërsisht sa i Shqipërisë jep 100 milionë euro, pse mos të japim ne? Po e the ti, ku shkojnë paratë?! Kjo është! Pra, me 25 prill vendimi që do marrësh është ku do të shkojnë paratë: atje ku kanë shkuar këto 8 vite apo do vijnë për subvencione, për ndihmë për ju?!"

“Vendimi im do të vejë tek Partia Demokratike, - tha Lulzim Noreci shkoqur, - në bazë të atij program që ke ndërtuar ti!” - iu drejtua ai kryetarit të opozitës Lulzim Basha.