Tentoi të kalojë 5 emigrantë të paligjshëm, prangoset 20-vjeçari

Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit në Kakavijë.     

U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, bie në pranga 20-vjeçari.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 20 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në afërsi të fshatit Peshkëpi, duke transportuar me automjetin tip “Ford”, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.