Komiteti i Mbrojtjes Civile vendos: Do merren kontrollorë të huaj

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zbardhur vendimin e marrë gjatë orëve të vona në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile.

Në një intervistë për emisionin “7 pa 5”, Peleshi deklaroi për herë të parë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është autorizuar për të bërë zëvendësimin e kontrollorëve edhe me personel të huaj.

“Dua të bëj me dije për herë të parë në media diçka. Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ky Komitet i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika. Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës”, ka deklaruar ministri Peleshi.

Që prej të mërkurës, fluturimet në Rinas janë pezulluar për shkak të protestës së kontrollorëve, që kundërshtojnë uljen e pagës prej pandemisë dhe në shenjë proteste ndaj arrogancës gati 1-vjeçare të institucioneve shtetërore përgjegjëse.

Ndërkohë mësohet se edhe fluturimet e paradites së kësaj të enjteje janë anulluar dhe nuk ka asnjë njoftim për ato të pasdites dhe natës së sotme. Aktualisht 24 kontrollorë janë të shoqëruar në polici dhe akuzohen për shpërdorim detyre.