Si u ekzekutua 'Kumbari'/ Frikë për përshkallëzim të dhunës

Mbi 120 plumba automatiku janë derdhur në makinën e Bardhok Planit, i njohur si një prej të fortëve në Shkodër me nofkën “Kumbari”, i cili mbeti i vrarë.

Afro 30 plumba përfunduan në trupin e viktimës duke e lënë të vdekur në vend. Kjo është një prej vrasjeve më të mirëorganizuara në Shkodër dhe më të bujshmet e realizuar nga krimi i organizuar. Një makinë tip “Passat” me targa italiane ka pritur poshtë shtëpisë së tij, në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik, Bardhok Planin, i cili sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash është qëlluar me breshëri automatiku. Janë dy persona të cilët me automatik kallashnikov, rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të dielës, kanë qëlluar pa pushim Bardhok Planin, i cili ndodhej në një mjet tip “Range Rover” ngjyrë e zezë.

Autorët e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre, duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos e lënë që të lëvizë. Pasi ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup, mjeti i viktimës është përplasur në oborrin e një pike me lëndë ndërtimi duke përfunduar aty. Autorët paralel me mjetin e 46-vjeçarit kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij duke u siguruar plotësisht se nuk ka pasur asnjë shans që të shpëtojë.

Autorët

Mendohet se dy autorët që kanë zbrazur të paktën nga dy karikatorë kallashnikovi me nga 32 plumba secili. Menjëherë pas vrasjes, autorët ende të paidentifikuar janë futur në një rrugicë dytësore pak metra nga vendi i ngjarjes në aksin Shkodër-Koplik, duke djegur mjetin e tyre dhe duke u larguar në drejtim të paditur, shkruan Panorama.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë duke nisur hetimet paraprake për këtë vrasje të bujshme në Shkodër, por deri më tani nuk ka asnjë lloj dyshimi lidhur me autorët e mundshëm apo porositësit e kësaj vrasjeje, pasi ka një dyshim se ky ekzekutim mund të jetë bërë me pagesë. Bardhok Plani njihej si një prej personazheve të fortë në Shkodër, i cili disa herë ka pasur probleme me drejtësinë, por i ka shpëtuar.

Gjithashtu, 46- vjeçari ishte një personazh me lidhje të forta me drejtësinë dhe politikën, por mbante raporte edhe me individë apo grupe të tjera kriminale. Kjo vrasje ka prishur balancat dhe mund të hapë një seri tjetër ngjarjesh të rënda kriminale në Shkodër. Mbrëmjen e së dielës në hetime mori pjesë edhe drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj. Deri më tani, nuk ka persona të shoqëruar, pasi Policia për momentin nuk ka asnjë dyshim. Kjo vrasje për momentin është një mister i plotë.

Ngjarja

“I forti” i Shkodrës, i njohur edhe si “Kumbari”, u qëllua për vdekje teksa udhëtonte me mjetin e tij në fshatin Dobraç i Ri. Burimet thanë se autorët dyshohen se e kanë ndjekur Planin për rreth 150 metra e më pas e kanë qëlluar. Ndërkohë, në afërsi të vendit të krimit është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve. Brenda makinës, është gjetur një armë tip “Kallashnikov”, por është ende e paqartë nëse është ajo arma me të cilën është kryer krimi. Policia ngriti pika kontrolli në hyrjet dhe daljet e qytetit, me qëllim kapjen e autorëve.

Ndërsa pak minuta pas ngjarjes doli me njoftimin zyrtar në lidhje me vrasjen e 46- vjeçarit. Sipas Policisë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin rrethuar zonën dhe po punonin për kapjen e autorëve. “Më datë 04.04.2021, rreth orës 21:10, në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, duke udhëtuar me automjet është vrarë me armë zjarri shtetasi B. P., rreth 46 vjeç banues në Shkoj i Ri. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli. Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSH-së Shkodër. Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.