Basha: 3 hapat për të nxjerrë profesionistë nga universitetet tona

Kreu i opozitës Lulzim Basha përsëriti sot nga Vau i Dejës gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë se pjesë e planit të PD-së është edhe krijimi i vendeve të punës me paga dinjitoze për të gjithë studentët pas diplomimit, e cila do të arrihet në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve Europiane. Mbështetje me bursa do të ketë edhe për studentët që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u shkolluar.

“Me qeverinë tonë paratë nuk do të shkojnë te oligarkët por do t’ju marrim ju në punë që në këtë orë shtesë të trajnoni fëmijët e shqiptarëve që të mësojnë të huaj, të mësojnë kompjuterin, të mësojnë një degë të artit apo një vegël muzikore, të angazhohen në sport dhe të kenë një vakt të paguar nga buxheti i shtetit nga taksat e prindërve të tyre dhe ky është pa diskutim një lehtësim shumë i madh dhe një konceptim, një ri konceptim evropian i sistemi tonë të para universitar e kam fjalën për shkollën nëntë vjeçare dhe shkollën e mesme.

Kur vjen puna tek arsimi universitar, problemi ynë kryesor filloi me ligjin e ri për arsimin e lartë që centralizoi gjithçka në duart e ministrit të arsimit dhe të kryeministrit ndërkohë që nuk u dha asnjë lek për të mbuluar detyrimet që u ngarkonte. Kush i paguan dëmet e shkaktuara nga ky ligj, pedagogët, studentët, prindërit tuaj. Prandaj, jam zotuar që kur nisëm protestat e studentëve që ligji jo vetëm do të anulohet por ne do të kemi një ligj bashkëkohor që do të garantojë autonominë e universiteteve. Por, mbi të gjitha do të bëjmë të mundur që universitetet të mos nxjerrin thjeshtë të rinj me një diplomë por, të nxjerrin profesionistë të gatshëm për tu angazhuar në tregun e punës dhe ky është hapi i dytë në programin tonë.

 Si do ta arrijmë këtë?

Siç po e arrijnë vendet e tjera të Ballkanit duke kopjuar modelet e suksesshme jo modelet e pasuksesshme. Para dy javësh, ndoshta e mbani mend, nga selia e Partisë Demokratike, në prani të disa profesorëve të nderuar të elitës intelektuale dhe universitare të Shqipërisë, bëmë një konferencë, një videokonferencë me 6 universitete europiane. Është Aleanca e Universiteteve Europiane ku ishte e pranishme edhe komisioneria për digjitalizimin Mariya Gabriel, e cila dha një lajm, një sihariq. Tha ne kemi arritur të miratojmë në Parlamentin Europian një buxhet prej 26 miliardë euro për Ballkanin perëndimor që të trajnojmë rininë.

Në këtë mënyrë, duke trajnuar rininë në Ballkanin perëndimor, krijojmë një treg pune që na shërben dhe ne si Bashkimi Europian sepse mundet që punë të cilat na kushtojnë shumë më shumë në Europë dhe kur nuk kemi, për shkak edhe të plakjes që është një problem në vendet e BE-së, nuk kemi njerëz të kualifikuar dhe nuk kemi rini mjaftueshëm por ju shërben dhe ju që të mos iki rinia.

 Të gjithë vendet rreth e qark kanë përfituar nga ky program, vetëm Shqipëria s’ka përfituar dhe e gjithë konferenca ishte pjesë e planit tonë të cilin do ta vëmë në zbatim pas 25 prillit, ku ne do të fillojmë të ofrojmë së pari 5 gjuhë të huaja online pa pagesë, gjithë shqiptarët nën moshën 35 vjeç, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht. Online, me Aleancën Europiane të Universiteteve, 20 profesione dhe qëllimi është që brenda 4-vjeçarit të kemi një kampus të kombinuar të këtyre universiteteve ku këto profesione të mund të merren dhe në kampus, pra fizikisht në praninë e pedagogëve perëndimorë.

Kush do të paguajë për to?

Pjesërisht qeveria shqiptare, pjesërisht Bashkimi Europian. Dhe një vend pune në teknologjinë e informacionit sjell dy avantazhe të mëdha. Avantazhin i parë që ti nuk ke nevojë emigrosh, mund të punosh nga shtëpia ose nga një zyrë, në Shkodër, në Vaun e Dejës, në Bushat, por edhe nga shtëpia, në qoftë se je trajnuar për programim, pra për ato shkencat e teknologjisë së informacionit, shkencat kompjuterike.

 E dyta, paga që merr fillon në nivelet 500, 600, 700 euro shkon deri në 2000-3000 euro. Pra një i ri i mirëtrajnuar në këtë fushë paguhet më shumë se një deputet, më shumë se një ministër, më shumë se presidenti i republikës.

 Imagjinoni 5000 të trajnuar, 10.000 të trajnuar apo 20.000 të trajnuar. Por sot në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në Tiranë mësohet akoma me tabelë të zezë e me shkumës, gjë që nuk ndodh as në Afrikë sepse lekët nuk kanë shkuar për të digjitalizuar mësimdhënien në universitete por janë zhdukur me tendera e me PPP-ra korruptive, lekët e prindërve tuaj them dhe njëherë. Qeveria nuk prodhon para, i merr nga xhepi i shqiptarëve. Ky është hapi i dytë.

Universitetet shqiptare do të kthehen në qendra të përgatitjes së profesionistëve në çdo fushë për të cilën ka nevojë ekonomia që nga teknologjia e informacionit, inxhinieritë, arkitektura, projektimi, industria e turizmit që ka nevojë për disa lloj profesionesh që të funksionojë ashtu siç duhet.

Dhe hapi i tretë është garantimi i tregut të punës.

Por si pret ti që të vijë investitori këtu e të investojë në një vend që e ka taksën tatim-fitimin 15% kur e ka 9% në Mal të Zi, shkon në Mal të Zi ai. Ata nuk janë budallenj. Pse të paguajë 6% më shumë këtu. Të njëjtën gjë në Maqedoni. Po flas vetëm për tatim-fitimin por po të shohim çmimet e tjera. Kosto kryesore e aktivitetit ekonomik është nafta. Shqiptarët e paguajnë naftën njësoj si suedezët dhe banorët e Singaporit.

Jemi te 3 vendet me naftën më të shtrenjtë në botë. Energjia elektrike, meqë jemi edhe afër fundit të kaskadës së Drinit këtu, afër hidrocentralit të Vaut të Dejës. Jemi afër hidrocentralit të Vaut të Dejës që prodhon energji pafund, është dhe pronë publike, pronë shtetërore dhe prapë energjinë shqiptarët e paguajnë sa qimet e kokës.

Ulja e taksave, nxitja e një klime miqësore ndaj biznesit, kontakti me korporatat e mëdha europiane për interesat e tyre sepse ata nuk vijnë për bamirësi. Ka nisur dhe është identifikuar në 12 muajt e fundit dhe një pjesë prej tyre nuk e kemi bërë publike se prapë do të dilte do të thoshte po ndërhynë në punët e brendshme, jo nuk po ndërhyn aspak në punët e brendshme.

Ai e ka mendjen të sjellë  punëtorë nga Bangladeshi, ndërsa unë jam i vendosur të sjell investitorë nga Gjermania, nga Austria, nga Europa për të punësuar dhe për të mbajtur rininë e Vaut të Dejës, rininë Shkodrane, rininë shqiptare këtij në vendin e tyre pranë familjeve të tyre. Këto janë 3 shtyllat kryesore me anë të cilave ne do të mundësojmë që rinia shqiptare të ketë të gjitha mundësitë të arsimohet dhe të punësohet në vendin e vet me paga të mira, me dinjitet dhe të shijojë jetën e të ndërtojë këtu të ardhmen e vet duke përfshirë familjen".