Basha: Rama s'ka fushatë... përgjegjësi personale për ata që shkaktojnë dëme ndaj shtetit

Kreu i Opozitës Lulzim Basha i ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka folur në lidhje me me fushatën elektorale. Sipas Bashës, Edi Rama nuk ka fushatë sepse nuk ka asnjë bilanc që mund ta bëjë para shqiptarëve.

Gjithashtu, Basha theksoi se çdo zyrtar që ka shkaktuar dëme ndaj shtetit do të mbajë përgjegjësi personale.

‘Edi Rama nuk ka fushatë, sepse fushata është bilanc për atë që ka qeverisur, por fushata po i vjen fundit dhe nuk kemi dëgjuar asgjë, përveç cirkut me rindërtimin dhe pandeminë dhe sulmet ndaj opozitës.

Edi Rama ka frikë të japë llogari për 8 vite qeverisje, sepse nuk ka çfarë të tregojë.

Edi Rama, i painteresuar të marrë fondet që ofrojnë donatorët për rindërtimin për shkak se nuk i lejojnë të abuzojë me to.

Do të vijë dita kur drejtësia do të çlirohet nga kthetrat e Edi Ramës dhe do të bëjë drejtësinë e saj. Një ndër masat e para që do të marrim në qeveri do të jetë përgjegjësia personale për zyrtarët që shkaktojnë dëme dhe humbje për shtetin.

E vetmja gjë që politika duhet të bëjë që drejtësia të funksionojë është të mbajë duart larg saj’, theksoi kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë intervistës së tij në SYRI TV.