Kandidati i LSI-së fton Bledi Çuçin në debat publik: Eja na thuaj çfarë ka bërë ‘Rilindja’ në 8 vjet!

Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, i ka bërë një ftesë të hapur rivalit të tij nga Partia Socialiste, Bledi Çuçit, për t’u përballur në një debat publik.

Përmes një reagimi në “Facebook”, Tavo fton Çuçin që të caktojë ai orën dhe vendin, që të diskutojnë përballë, që nga inskenimet për blerje votash e deri në prezantimet e ideve.

“E ftoj Çuçin në një debat të hapur publik, ku të dojë, vendin, ditën dhe orën ta zgjedhë ai vetë, e të diskutojmë përballë që nga inskenimet për blerje votash e deri në prezantim idesh nëse ka dëshirë.

Dhe mbi të gjitha le të flasë përballë meje dhe t’u drejtohet publikisht familjeve të thjeshta të qarkut tonë për çfarë u ka bërë “Rilindja” këto vite.

Të pres!

Ku dhe kur të duash!

Vangjel Tavo”, shkruan kandidati i LSI-së në statusin e tij në “Facebook”.