India arrin kulmin e infektimeve ditore, 100 mijë raste me Covid

Rastet e përditshme të virusit në Indi arritën në 100,000 në 24 orë. India regjistroi 103,558 raste të reja Covid të hënën, shifra e saj më e madhe njëditore, treguan të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë - duke e çuar totalin e vendit në 12.59 milion raste.

Vendi shtoi 478 vdekje të reja, duke rritur numrin në 165,101. India ka numrin e tretë më të lartë të rasteve në botë pas SHBA, me 30 milionë dhe Brazilit, me pak se 13 milionë.

Infeksionet njëditore janë rritur që nga fillimi i shkurtit kur ato ranë nën 9,000 pasi arritën kulmin në pothuajse 100,000 në shtator.

Shteti më i pasur i Indisë, Maharashtra, vendi i kryeqytetit financiar Mumbai, do të vendosë një mbyllje në fundjavë dhe një shtetrrethim natën për 110 milion njerëzit e saj, si reagim për rritjen e rasteve, njoftuan autoritetet të dielën.

Nga e hëna në mbrëmje deri në fund të prillit do të vendoset një shtetrrethim natën, mbledhjet e më shumë se katër personave ndalohen dhe zyrat private, restorantet, kinematë, pishinat, baret, vendet e adhurimit dhe vendet publike të tilla si plazhet do të mbyllen.

Në fundjavë do të lejohen të funksionojnë vetëm shërbimet thelbësore.