Të ardhur në Durrës/ Mësuesja mirditore e kirurgu dibran: Mungon shteti

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar me përfaqësues të komuniteteve të ardhura në Durrës, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Në bisedën që patën me Bashën, ata ngritën shqetësime të ndryshme që kanë të bëjnë me infrastrukturën e zonave ku banojnë,  pagat e mësuesve dhe mungesën e personelit shëndetësor në spitalin e Durrësit.

“Kemi ndjerë mungesën e shtetit. Këtu është bërë vetëm kjo rruga në kohën e Partisë Demokratike nga doktor Sali Berisha. Janë dhe disa rrugica të tjera të vogla të cilat kanë qenë rrugë elektorale por edhe ato rrugë që janë mbaruar janë pa elektrifikim, pa gjelbërim që ne njëkohësisht paguajmë taksën e edhe të gjelbërimit edhe të ndriçimit.” – u shpreh një nga qytetarët.

“Jam Fatbardha Gjoka, vij nga një qytet i vogël por me një histori goxha të vjetër, nga Mirdita. Unë me profesion jam mësuese. Kam normalisht zhgënjime dhe shqetësime pa fund për arsimin. Një shqetësim i madh ose zhgënjim i këtyre 8 viteve është fut mësues normalisht joprofesional. Normalisht militant, të cilët e shkatërruan dhe e çuan në fund arsimin. Rroga e mësuesit për 8 vite vetëm pesë mijë lekë të vjetra është ngritur. Vetëm 5 mijë lekë të vjetra, si ta përballojë unë?!

Pra këto janë shqetësime dhe në qoftë se duhet të vihet dorë në një fushë, normalisht është arsimi. Pastaj dhe një diçka tjetër, një shqetësim, është të vihet në vend ai emri i bukur, emri i bukur mësues sepse akoma i ka humbur të gjitha vlerat”. – tha mësuesja Fatbardha Gjoka.

“Unë quhem Fitim Shahini nga Dibra, me origjinë. I diplomuar dhe i specializuar në Bukuresht dhe prej 16 vitesh, mjek specialist, kirurg, pranë spitalit të Durrësit. Plaga më e madhe ose ndër plagët më të mëdhaja të mjekësisë dhe të shëndetësisë në të gjithë Shqipërinë por edhe në spitalin tonë, ngelet largimi masiv i mjekëve dhe personelit të mesëm shëndetësor nga Shqipëria. Një arsye shumë e rëndësishme për mendimin tim i largimit të personelit të mesëm është vështirësia për të depërtuar në sistemin shëndetësor. Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të punësohesh si infermierë sot në sistem.

Ajo që më shqetëson mua personalisht si mjek është mungesa e disa specialiteteve që është neurokirurgjia, kardiokirurgjia, Kirurgjia infantile, më shpejt nuk kemi toksikologji, pra specialistë të toksikologjisë e tjerë e tjerë, ka disa mungesa e them këtë sepse vetë qendra kombëtare e traumës shpesh herë me të drejtë ankohet për transportimin e shumë të sëmurëve, për mungesën e një neurokirurgu po themi në spitalin tonë. Kështu që në të ardhmen ndoshta mund të gjendet ndonjë zgjidhje ose mund të parashikohet në program.” – u shpreh mjeku, Fitim Shahini.